Pse është kaq i zemëruar Donald Trump me Elon Musk? A është thjesht një pakënaqësi personale, pasojë e “tradhtisë” në marrëdhënien e tyre të afërt që lindi gjatë fushatës presidenciale falë donacioneve prej 250 milionë dollarësh, apo Trump ka frikë se Musk mund të shkaktojë dëme të mëdha elektorale ndaj republikanëve duke themeluar partinë e tij? Të dyja, me shumë gjasë. Sepse nëse sipërmarrësi afrikan ia del të ndikojë realisht në rezultatin e zgjedhjeve afatmesme të vitit të ardhshëm në disa distrikte kyçe, ai mund të bëhet vendimtar për t’i hequr kontrollin e Kongresit GOP-it dhe presidentit aktual. Fillimisht në Dhomën e Përfaqësuesve, ku tashmë kanë nisur procedurat për shkarkim.
Kur shpalli krijimin e “Partia e Amerikës”, si përgjigje ndaj shpërdorimeve të miratuara me ligjin e buxhetit “Big Beautiful Bill”, Musk theksoi se nuk do të jetë një ndërmarrje gjigante, sepse nuk ka ndërmend të garojë në rang kombëtar me kandidatë në çdo shtet: “Mjafton të përqendrohemi në dy apo tre vende në Senat dhe një dhjetëshe në Dhomën e Përfaqësuesve”. Kjo është e vërtetë, nëse qëllimi është të luajë rolin e sabotuesit për t’ia prishur jetën Trump-it dhe republikanëve, dhe jo për të marrë pushtetin.
Sot GOP ka një shumicë prej gjashtë vendesh në Senat, 53 me 47, dhe tetë në Dhomën e Përfaqësuesve, 220 me 212. Por në realitet kjo shumicë është më e brishtë për shkak të largimeve nga radhët e republikanëve disidentë. Votimi për “Big Beautiful Bill” përfundoi i barabartë në Senat, 50 me 50, duke kërkuar ndërhyrjen e nënpresidentit Vance për të zhbllokuar situatën, ndërsa në Dhomën e Përfaqësuesve u miratua me vetëm 4 vota diferencë, 218 me 214. Nëse Partia e Amerikës do të arrinte të fitonte 4 vende në Senat, ose të paktën të pengonte republikanët të ruanin të gjitha vendet e tyre, dhe 6 në Dhomën e Përfaqësuesve, Trump do të humbiste kontrollin e Kongresit. Edhe një dhomë e vetme do të mjaftonte për të bllokuar të gjitha propozimet e tij ligjore, duke e kthyer në një “anëtar të gjymtuar” që të nesërmen e zgjedhjeve afatmesme. Dhe nëse demokratët do të rimerrnin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, duke vendosur Hakeem Jeffries si kryetar të ri, do të kishin gjithashtu mundësinë të nisin hetime të njëpasnjëshme për veprimtarinë e administratës, përfshirë edhe një impeachment të tretë ndaj Trump-it. Nëse do të merrnin sërish Senatin, do të bllokonin të gjitha emërimet, gjyqësore apo të tjera.
Musk, pra, mund të synojë dy objektiva: ose të fitojë me partinë e tij aq vende sa të bëhet përcaktues në ekuilibrat politikë amerikanë, ose t’i heqë GOP-it votat që do t’i bënin të humbnin senatorë apo deputetë, për t’ia dhuruar shumicën demokratëve. Hipoteza e dytë nuk do të ishte ideale, sepse Elon nuk ndan linjën politike të Jeffries dhe shokëve të tij. Por nëse qëllimi i tij kryesor është t’i fusë një “gisht në sy” Donaldit dhe ta paralizojë, të dyja rrugët funksionojnë.
Sipas analistëve, vendet më të rrezikuara në Senat janë pesë: Maine dhe North Carolina, të kontrolluara aktualisht nga republikanët; Michigan, New Hampshire dhe Georgia nga demokratët. Për të realizuar objektivin e tij, Musk do të duhej të fitonte këto pesë vende, ose të paktën të pengonte GOP-in t’i merrte ato, dhe të shtonte një tjetër. Vendet më të paqarta mes republikanëve duken Ohio dhe Iowa, por në rast të një vale anti-Trump mund të hyjnë në lojë edhe Alaska apo shtete të tjera. Në Dhomën e Përfaqësuesve, sipas Cook Political Report, ka 10 vende të lëkundura për demokratët dhe 8 për republikanët, pra vende që aktualisht mund t’i shkojnë të dy partive. Ky është një numër i mjaftueshëm për të ndryshuar shumicën, nëse America Party do të arrinte t’i fitonte të gjitha, ose t’i bënte t’i humbnin republikanët. Nuk është e lehtë, por as e pamundur, sepse diferencat janë shumë të vogla./La Repubblica
Komente
