Bota

Plani për të ndërtuar statujën e Krishtit ‘më të madhe se ajo në Rio’, ngjall reagime në Spanjë (VIDEO)

28 Qershor, 16:16| Përditesimi: 28 Qershor, 16:43

  • Share

Një organizatë kristiane në Spanjë ka premtuar të ndërtojë statujën më të madhe të Krishtit në botë, duke tejkaluar lartësinë e statujës së Krishtit Shpëtimtarit në Brazil. Një grup fetar nga qyteti Boadilla del Monte, një komunë afër Madridit, tha se po mbledhin fonde për të ndërtuar statujën më të madhe të “Zemrës së Shenjtë” të Krishtit, me një lartësi prej 37 metrash dhe gjerësi 60 metra.

Statuja do të përfshijë një zemër-tabernakel me lartësi 2.5 metra, ndërsa trupi dhe koka do të ndërtohen nga betoni i përforcuar, dhe krahët nga fibra karboni. Statuja do të projektuar dhe ndërtohet nga skulptori Javier Viver, i njohur për punën e tij kryesisht në imazhe fetare.

Nëse ky projekt përfundon, statuja do të jetë më e lartë se statuja e Krishtit Shpëtimtar në Rio de Janeiro, e cila ka 30 metra lartësi pa përfshirë bazamentin. Ajo do të jetë gjithashtu më e lartë se statuja më e madhe aktuale e Krishtit, “Krishti Mbret” në Świebodzin, Poloni, që është 33 metra e lartë.

Kampanja po organizohet nga Asociacioni i Adhuruesve të Zemrës së Jezusit në Boadilla, i cili tha se projekti do të kushtojë 17 milionë euro.

Ata planifikojnë të mbledhin fondet përmes donacioneve të njerëzve nga e gjithë bota, ku deri tani janë grumbulluar mbi 94,000 euro.

Organizata tha se ndërtimi i statujës është dëshirë e shumë banorëve, të cilët kanë kërkuar nga këshilli lokal që monumenti të ngrihet në komunën e tyre.

Propozimi u miratua në një seancë plenare komunale më 15 nëntor 2019, pa kundërshtime nga ndonjë grup.

Qëllimi i ndërtimit të kësaj statuje të madhe është që ajo të bëhet një atraksion global, një vend pelegrinazhi për vizitorë nga e gjithë bota, me hapësirë të mjaftueshme që njerëzit të mund të hyjnë brenda monumentit.

Organizata tha se aktualisht ndodhet në fazën e parë nga tri faza të projektit, duke planifikuar skulpturën dhe duke mbledhur fonde, dhe shpreson të arrijë 5 milionë euro para se të nisë ndërtimi.

Nëse arrihet qëllimi i mbledhjes së fondeve, organizata pret që monumenti të përfundojë dhe të hapet në qershor 2030, pas tre vitesh ndërtimi.

Disa banorë dhe politikanë lokalë kanë kritikuar projektin për luksozitetin e tij, veçanërisht në kohën e krizës së strehimit që po kalon Spanja.

Alessandra del Mónaco, kryetarja lokale e Partisë Socialiste, kritikoi Partinë Popullore konservatore për miratimin e tokës pa vlerësuar mundësinë e realizimit të projektit.

“Ai tha se duke parë çmimet e strehimit në Boadilla, nuk ka kuptim të ndahet toka e disponueshme për këtë qëllim,” sipas gazetës The Times.

Të tjerë në rrjetet sociale kanë thënë se fondet duhet të investohen në spitale, banesa dhe arsim, dhe jo në atë që e përshkruajnë si një “park tematik” dhe jo si një monument shpirtëror, raportoi Info Boadilla.

Organizata tha se monumenti “nuk është as luks, as një veprim zbukurues, por një ftesë guximtare për shpresë në një kohë të karakterizuar nga zhgënjimi dhe polarizimi.”

Ajo synon që statuja të jetë “një dritë në pajtim dhe një simbol i dashurisë”, si dhe të mbledhë fonde për bamirësi.

Ana María, zëdhënëse e Asociacionit të Adhuruesve të Zemrës së Shenjtë të Boadillës, i tha The Independent se edhe pse projekti kërkon një investim të madh, “synon të krijojë një hapësirë që do të tërheqë shumë njerëz dhe do të inkurajojë një takim personal me Jezusin Krisht.”

“Ashtu si gjithmonë në zemrat e të krishterëve, ky takim do të sjellë fryte në shumë vepra bamirësie, falë bujarisë së donatorëve. Dhjetë përqind e fondeve të mbledhura nga tani e tutje do t’i dedikohen veprave bamirëse.”/Indipendent

H.K/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po zbatohet siç duhet rregullorja e re për plazhet publike në Shqipëri?