Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi dënimet me burg për Leonard Luzin dhe dy bashkëpunëtorët e tjerë, Amarildo Nikolli dhe Muharrem Koroveshi, të cilët kishin planifikuar vrasjen e Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt në gusht të vitit 2023.
Leonard Luzi u dënua me 11 vite burg, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar, u dënua përfundimisht me 7.4 vite burg. Amarildo Nikollit iu ul dënimi në 2.9 vite burgk, ndërsa Muharrem Koroveshi u dënua me aplikim të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht me 6.8 vite burg.
Plani i vrasjes
Hetimi i SPAK provoi se leonard Luzi, ishte financuar nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjet e Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, ku shkak dyshohet përplasjet për lojërat e fatit. Leonard Luzi ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë i pandehuri Amarildo Nikolli, që do të ishte ekzekutori si dhe Muharem Koroveshi, dhe Erio Zejno, në rolin e ndihmësit.
Koroveshi dhe Zejno, kanë sjellë armët në banesën e të pandehurit Amarildo Nikolli në Vlorë, kanë ndihmuar në terren me gjetjen e personave të cilët ishin objektiv i atentatit, si dhe do të ndihmonin ekzekutorin Amarildo Nikolli, në largimin nga vendi i ngjarjes.
Megjithatë atentati dështoi pasi më 7 gusht të 2023 policia arrestoi Amarildo Nikollin në orën 12:47, në lagjen “Uji Ftohtë”, në qytetin e Vlorës. Gjatë kontrollit fizik blutë sekuestruan një pistoletë me një silenciator, me karikator të mbushur me 14 fishekë, si dhe një fishek i futur në folenë e qitjes. Sipas SPAK, ditën e arrestimit të tij, Amarildo Nikolli, kishte dalë pikërisht për të finalizuar krimin e porositur prej të pandehurit Leonard Luzi.
Njoftimi i gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Miliana Muça (anëtare) dhe Igerta Hysi (anëtare), më datë 19.05.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 20 akti, datë 19.02.2025 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit/të pandehurit L.L. (Z., S.), kundër vendimit nr. 04, datë 10.01.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit L.L. (Z., S.), për kryerjen e veprës penale të “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i Kodit Penal, dhe dënimim e tij me 4 (katër) vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit L.L., për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” të shtetasve E.M., i njohur me pseudonimin “Q.” dhe I.H., i njohur me shkurtim emri “I.”, ose me nofkën “***”, në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit A.N., dhe M.K., të parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal, dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 8 (tetë) vite burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit L.L., për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e “grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit A.N., dhe M.K., parashikuar nga nenet 278/1, dhe 28/4, të Kodit Penal, dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 10(dhjetë) vite burgim.
4. Ne aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve dënimi i të pandehurit L.L. (Z., S.) me një masë të vetme prej 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.
5. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 7 (shtatë) vite e 4 (katër) muaj burgim.
6. Vuajtja e dënimit për të pandehurin L.L. fillon nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
7. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.N., për kryerjen e veprës penale të “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimim e tij me 2 (dy) vjet burgim.
8. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.N., për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” të shtetasve E.M., i njohur me pseudonimin “Q.” dhe I.H., i njohur me shkurtim emri “I.”, ose me nofkën “***”, në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit L.L., dhe M.K., të parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim.
9. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.N., për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e “grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit, L.L. dhe M.K., parashikuar nga nenet 278/1, dhe 28/4, të Kodit Penal, dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vite burgim.
10. Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve dënimi i të pandehurit A.N. me një masë të vetme prej 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.
11. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 7 (shtatë) vite e 4 (katër) muaj burgim.
12. Në bazë të nenit 28/7 të Kodit Penal si dhe nenit 37/a të K.Pr.Pernale, uljen e dënimit dhe, dënimin përfundimtar të të pandehurit A.N., me 2 (dy) vite e 9 (nëntë) muaj burgim.
13. Vuajtja e dënimit për të pandehurin A.N. fillon nga dita e arrestimit të tij, dhe të kryhet në një nga Institucionet e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale sipas marrëveshjes me Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpuntorëve të Drejtësisë.
14. Deklarimin fajtor të të pandehurit M.K. (alias M.I. alias M.M.), për kryerjen e veprës penale të “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimim e tij me 2 (dy) vjet burgim.
15. Deklarimin fajtor të të pandehurit M.K., për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” të shtetasve E.M., i njohur me pseudonimin “Q.” dhe I.H., i njohur me shkurtim emri “I.”, ose me nofkën “***”, në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit A.N., dhe L.L., të parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 7(shtatë) vjet burgim.
16. Deklarimin fajtor të të pandehurit M.K., për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e “grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit, L.L. dhe A.N., parashikuar nga nenet 278/1, dhe 28/4, të Kodit Penal, dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vite burgim.
17. Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve dënimi i të pandehurit M.K. me një masë të vetme prej 10 (dhjetë) vjet burgim.
18. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 6 (gjashtë) vite e 8 (tetë) muaj burgim.
19. Vuajtja e dënimit për të pandehurin fillon nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
20. Bazuar në nenin 190 të K.Pr.Penale, prova materiale që është:
-një pistoletë e markës Pietro Beretta, Mod 92 FS, cal.9, me një selenciator me ngjyrë të zezë, me mbishkrimin GEMTECH SPRINGFIELD MA U.S BOISE I.D, G.M, 7.9 MMGEMTECH, COM/PATENS dhe 10 fishekë të kalibrit 9 mm, konform nenit 36 të K.Penal, të kalojnë në favor të shtetit.
-Prova materiale:
-një telefon celular i markës Iphone, model A 2221, me numër IMEI *** dhe kartë SIM me numër serial ***;
-Një DVR me ngjyrë të zezë me shënimin Digital Vidio Recorder, alhua, me numër serie DHI-XVR108HS-4KL e kamerave të sigurisë së Pastiçerisë ***;
-Një CD me pamjet filmike të pastiçeri ***;
-Një CD me pamjet filmike të Bar ***;
-Një CD me pamjet filmike të hyrjes së Pallatit në afërsi të Shkollës së Mesme ”Qemal Ataturk”;
-Një CD e aktit te ekspertimit;
-CD e ardhura nga Kompanitë celulare, të bëhen pjesë e fashikullit.
21. Shpenzimet hetimore në masën 37,785 (tridhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e pesë) lekë si dhe ato gjyqësore (sipas proçesverbalit bashkëlidhur), ju ngarkohen solidarisht të pandehurve.
22. Kundër vendimit lejohet ankim nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të arsyetuar të këtij vendimi.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 4, datë 10.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
2. Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht;
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.
Komente
