Këshilli i Ministrave, përmes miratimit të një plani strategjik, i ka hapur rrugë nisjes së një aksioni kombëtar për gjurmimin, mbledhjen dhe shkatërrimin e armëve, municioneve dhe eksplozivëve në duart e shqiptarëve. Aksioni do të udhëhiqet nga Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Mbrojtjes dhe një sërë institucionesh të tjera shtetërore, ndërsa do të monitorohet nga Komisioni Kombëtar për Armët e Vogla dhe të Lehta, i ngritur me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Strategjia për kontrollin e armëve të vogla, të lehta, municioneve dhe eksplozivëve ka hyrë në fuqi këtë të premte, ndërsa zbatimi i saj do të zgjasë deri në vitin 2024.
Plani strategjik parashikon që deri në vitin 2024 të ulet në mënyrë të konsiderueshme qarkullimi i paligjshëm i armëve të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve drejt, brenda dhe përtej vendit tonë, të ulet numri i armëve të zjarrit që mbahen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri si dhe të shkatërrohen ato. Sipas dokumentit strategjik, aktualisht në duart e shqiptarëve janë 325 mijë armë zjarri në mënyrë të paligjshme. Në vitin 1997 janë grabitur 549,775 armë, 839,310,038 municione dhe 16,000,000 eksplozivë. Në periudhën mars-qershor të ’97 janë grumbulluar 222,918 armë 118,134,222 municione dhe 1,539,828 eksplozivë. Ndërkaq, gjatë amnistisë janar–prill 2017, janë mbledhur 1.603 armë zjarri të ndryshme, 1.558 granata dore dhe 580.634 municione të ndryshme. Pra, më shumë se sa gjysma armëve, municioneve dhe eksplozivëve të grabitura janë në duart e shqiptarëve.
Amnistia
Në strategjinë e miratuar dhe që ka hyrë në fuqi, nuk përjashtohet mundësia e një amnistie të re për armëmbajtjen pa leje, për të nxitur shqiptarët që të dorëzojnë vullnetarisht armët dhe municionet, pa u ngarkuar me përgjegjësi penale. Në dokument thuhet se aplikimi i herëpashershëm i amnistisë për armëmbajtjen pa leje për një periudhë 2–3-mujore, bashkëpunimi i Policisë së Shtetit për sensibilizimin e qytetarëve me organizatat ndërkombëtare, median, institucionet e tjera shtetërore dhe OJF të ndryshme, do të ndikonte pozitivisht në rritjen e numrit të armëve dhe municioneve të dorëzuara vullnetarisht, të cilat mbahen pa leje nga popullata.
Rishikimi i legjislacionit
Krahas amnistisë ose disa amnistive 2–3-mujore, strategjia parashikon edhe ndryshimin e legjislacionit për armëmbajtjen pa leje. Do të plotësohet më tej legjislacioni i aktual, por nuk përjashtohet as ashpërsimi ligjeve për armëmbajtjen pa leje. “Rishikimin e vazhdueshëm të legjislacionit dhe politikave – ka për qëllim të analizojë dhe ndryshojë legjislacionin primar dhe sekondar si dhe strategjitë e mekanizmat aktualë dhe ti sinkronizojë ato me ndryshimet ligjore të BE-së. Në veçanti do të adaptohen dhe plotësohen ligjet si ai për armët, që do të plotësohen në përputhje me kërkesat e Direktivës së BE-së për armët e zjarrit dhe rregulloren për çaktivizimin e armëve; ligji për mallrat me përdorim të dyfishtë; ligji për përdorimin civil të lëndëve plasëse, të përputhet me legjislacionin përkatës të BE-së, në veçanti me legjislacionin për prekursorët, si dhe listën e eksplozivëve të lejuar (OKB). Rishikimi i legjislacionit do të bëhet gjithashtu në përputhje me Protokollin e Kombeve të Bashkuara për Armët e Zjarrit, Instrumentin Ndërkombëtar për Gjurmim, si dhe Traktatin e Tregtisë së Armëve”, thuhet në strategji.
Bashkëpunimi ndërkombëtar
Dokumenti strategji parashikon edhe bashkëpunim ndërkombëtar në aksionin e ri kundër armëmbajtjes pa leje, por sidomos trafikimit të armëve nga Shqipëria. “Bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit, municioneve, lëndëve plasëse vlerësohet shumë i rëndësishëm. Bashkëpunim në fushën e grumbullimit të informacioneve, në bazë të të cilave do të bëhet analizimi i hollësishëm i rasteve dhe do të identifikohet prania e veprimtarisë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit. Krijimi i skuadrave të hetimit të përbashkëta me pjesëmarrjen e hetuesve nga secili shtet kur ka premisa të zhvillimit të veprimtarisë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit. Krijimi i skuadrave të hetimit të përbashkëta, do të ishte më shumë produktive në krahasim me organizimin e operacioneve rajonale me pjesëmarrjen e shumë shteteve, për të rritur cilësinë e shkëmbimit të informacionit, besueshmërinë e anëtarëve të skuadrës së hetimit, shmangien e pengesave burokratike dhe shkëmbimin e eksperiencave”, parashikon strategjia.
Bilanci i armëve të grabitura dhe të mbledhura
-Grabitur më 1997, 839,310,038 municione, 16,000,000 eksplozivë, 549,775 armë
-Grumbulluar mars 1997 – qershor 2005, 118,134,222 municione, 1,539,828 eksplozivë, 222,918 armë
-Grumbulluar gjatë amnistisë janar–prill 2017, 1.603 armë zjarri të ndryshme, 1.558 granata dore, 580.634 municione të ndryshme.
Institucionet që do angazhohen
Ministria e Brendshme
Policia e Shtetit
Njësia Qendrore e Armëve të Zjarrit
Ministria e Mbrojtjes
Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Ministria e Drejtësisë
Ministria e Financave dhe Ekonomisë është
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë është
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
7 objektivat e strategjisë për kontrollin e armëve
1. Brenda vitit 2023 të garantohet miratimi i legjislacionit për kontrollin e armëve, plotësisht i harmonizuar me kuadrin rregullator të BE-së, dhe detyrimet e tjera ndërkombëtare përkatëse dhe i standardizuar me të gjithë rajonin.
2. Brenda vitit 2024 të garantohet se politikat dhe praktikat për kontrollin e armëve në vendin tonë janë bazuar në statistika dhe udhëhiqen nga informacionet e inteligjencës.
3. Brenda vitit 2024 të ulet në mënyrë të konsiderueshme qarkullimi i paligjshëm i armëve të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve (AME) drejt, brenda dhe përtej vendit tonë.
4. Brenda vitit 2024 të ulet në mënyrë të konsiderueshme oferta, kërkesa dhe keqpërdorimi i armëve të zjarrit nëpërmjet ndërgjegjësimit, edukimit, informimit dhe promovimit të kontrollit.
5. Brenda vitit 2024 të ulet mjaftueshëm numri i përllogaritur i armëve të zjarrit që mbahen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.
6. Në mënyrë sistematike, të ulet sasia e tepërt dhe të shkatërrohen armët e vogla dhe të lehta dhe municionet e tyre të kapura, duke respektuar standardet mjedisore.
7. Të ulet në mënyrë të konsiderueshme rreziku i përhapjes dhe devijimit të armëve të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve.