Rusi

Planifikon Rusia goditje me armë taktike atomike?

26 Maj, 11:20| Përditesimi: 26 Maj, 11:23

  • Share

Për herë të parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Rusia po zhvillon manovra me armë taktike atomike. A do të kishte kuptim për Moskën vënia në përdorim e armëve të tilla?

Rusia i ka filluar manovrat me armë atomike të bëra të ditura që në fillim majit. Faza e parë e stërvitjes që zhvillohet në jug të vendit në afërsi të kufirit ukrainas, përfshin përgatitjen dhe përdorimin e armëve atomike jo-strategjike, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes në Moskë. Stërvitje të tilla zhvillohen për herë të parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Ato zhvillohen nga njësitë e "Departamentit Jugor Ushtarak” të mbrojtjes ajrore me pjesëmarrjen e forcave të armatosura ajrore dhe detare.

Qëllimi është "rritja e gatishmërisë e forcave atomare jo-strategjike. Krahas territorit rus, mbrojtja ajrore ruse shtrihet edhe në Gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Rusia në vitin 2014, si dhe në rajonet, Kherson, Donjeck, Luhansk e Zaporishja, që në vitin 2022 u pushtuan pjesërisht e pas referendumeve të inskenuara, presidenti Putin i deklaroi ato si pjesë të territorit rus.

Kërcënimet atomike të Moskës dhe kritika nga perëndimi

Përfaqësues të vendeve perëndimore e kanë kritikuar udhëheqjen e Moskës për shkak të kërcënimeve atomike. Edhe nëse presidenti Putin nuk ka kërcënuar hapur me sulm atomik, ai e ka paralajmëruar Perëndimin nga mundësia e një lufte atomike në rast të një konfrontimi të drejtpërdrejtë me Rusinë. Ish-presidenti rus dhe zëvendëskryetar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Dmitri Medvedev përkundër kësaj ka kërcënuar disa herë me përdorimin e armëve atomike. Më 6 maj ai u shpreh ngjashëm. Vendimin për zhvillimin e manovrave me armë taktike atomike ai e lidhi me debatin në perëndim, nëse është e lejueshme të dërgohen trupa tokësore perëndimore në Ukrainë.

Edhe zëdhënësi i Putinit, Peskov manovrat atomike i lidhi me deklaratat e politikanëve perëndimore për dërgim të mundshëm të trupave tokësore në Ukrainë dhe përmendi këtu sidomos presidentin francez, Emmanuel Macron. Peskov bëri fjalë për një ”raund të ri të përshkallëzimit”.

Çfarë janë armët taktike atomike?

Armët taktike atomike dallohen nga ato strategjike. Ato kanë një rreze më të vogël veprimi dhe kanë më pak fuqi, mund të bëhet fjalë për artileri, por më shpesh për raketa balistike dhe raketa të tjera luftarake. Ato startojnë nga sisteme si konvencionale edhe nga ata të përgatitur me koka nukleare.

Si armë atomike taktike konsiderohen sisteme raketash me bazë tokësore me një rreze veprimi deri në 500 km si edhe raketa me bazë detare ose ajrore me një rreze veprimi 600 km. Në klasifikimin e tyre nuk ka kufij të qartë.

Përdorimi në Ukrainë "nuk ka kuptim"

Ekspertë të pyetur nga Deutsche Welle janë të mendimit, se nuk ka gjasa përdorimi i armëve atomike në Ukrainë dhe përveç kësaj ai është i pakuptimtë. "Në kuptimin ushtarak përdorimi i armëve atomike nga Rusia në Ukranë nuk ka asnjë kuptim në rrethana të tilla”, thotë Pavel Podvig, drejtues studimor në Institutin e OKB-së për Studime e Çarmatimit. Në këtë drejtim nuk ka ndryshuar gjë, thotë ai.

Rusia nuk do të ushtrojë sulmin në një manovër të tillë, por procedurën për përdorimin e armëve, thotë eksperti  Podvig. "Pasi normalisht kokat shpërthyese jo-strategjike ruhen të ndara nga raketat dhe avionët, nga të cilët mund të startohen.” Podvig shpreson, që kjo manovër për shkaqe sigurie të zhvillohet me pajisje ushtarake imituese.

Kurse eksperti Nikolai Sonov, studiues në Qendrën Vjeneze për Çarmatimin dhe Kundër Proliferimit, (VCDNP) është i mendimit, se "asnjëherë” nuk ka pasur plane për përdorimin e armëve atomike në Ukrainë. Këto plane nuk ekzistonin as në vjeshtën e vitit 2022, kur ushtria ruse u tërhoq nga rajonet e Kharkivit dhe Khersonit. Në mediat amerikane ka pasur raportime të tilla, se gjoja kjo është temë në Federatën Ruse. Por tani ushtria ruse ka fituar superioritet në shumë drejtime kundër asaj ukrainase dhe po përparon në disa rajone në drejtimin lindor, shprehet Sokov. Madje Kievi pret një zgjerim të sulmeve ruse.

Stërvitja atomike "paralajmërim për perëndimin”

Kërcënimet ruse kanë një sfond tjetër. "Përshkallëzimi nuklear” është një frazë, të cilit perëndimi i trembet  shumë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Madje kjo shihet si arsyeja kryesore, sipas disa politikanëve perëndimorë dhe ekspertëve, pse furnizimi me armë i Ukrainës përparon ngadalë dhe i kufizuar.

Mathieu Boulègue nga Qendra Amerikane Wilson Center thotë se Moska tek kjo bazohet. Ai nuk beson se manovra lidhet vetëm me "qëndrimin e Francës”, kur Macron nuk e përjashtoi para disa javësh dërgimin e trupave tokësore, por është pjesë e "frikësimit të vazhdueshëm dhe mprehjes së shpatave nga ana e Kremlinit”, me qëllim që të thyejë vendosmërinë e perëndimit për mbështetjen e Ukrainës.

Ekspertët janë të mendimit, se manovrat ushtarake të Rusisë janë më shumë "një sinjal dhe paralajmërim që i drejtohet perëndimit”. Ky sinjal politik nuk përmban asgjë të mirë, megjithatë duhen bërë përpjekje për ta kuptuar atë me kthjelltësi”, thekson eksperti Pavel Podvig./DW

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?