Mediat portugeze bëjnë me dije se gjigantët e Benficës në futboll akuzohen për korrupsion dhe trukim ndeshjesh mes viteve 2016-2019, duke vënë ish-drejtuesit me ‘shpatulla pas murit’.
Zyra e prokurorit publik ngriti akuza kundër ish-presidentit të klubit Luis Filipe Vieira dhe ish-këshilltarit të tij ligjor Paulo Goncalves, si dhe ish-drejtorëve të Vitoria de Setubal, për vepra të dyshuara penale të korrupsionit dhe mashtrimit tatimor.
Benfica akuzohet për korrupsion aktiv në lidhje me veprën penale të ofrimit të pahijshëm të avantazheve dhe mashtrimit tatimor. Vitoria de Setubal u akuzua për korrupsion pasiv në lidhje me krimin e përfitimit të një avantazhi të pajustifikuar dhe mashtrim të rëndë tatimor.
Sipas aktakuzës, Vieira, i cili drejtoi klubin për 18 vjet, deri në arrestimin e tij në korrik 2021, si pjesë e një rasti tjetër që lidhet me mashtrimin, ka rregulluar transferime lojtarësh me Vitorian për të përfituar financiarisht klubi nga Setubal. Në këmbim, Vitoria i lejoi Benficas dy ndeshje të kampionatit.
Benfica thuhet se i ka paguar 1.3 milionë euro Vitorias përmes marrëveshjeve të blerjes dhe huazimeve të lojtarëve.
Avokati Paulo Goncalves mohoi akuzat e prokurorisë së shtetit, duke i vlerësuar ato si “surreale” dhe pa “bazë ligjore”.
“Kjo akuzë është surreale dhe e bazuar në një teori pa bazë faktike dhe ligjore. Në fakt, asnjë nga procedurat e përshkruara aty nuk përbën vepër penale, aq më pak vepër penale të korrupsionit”.
Prokuroria kërkoi që, në rast dënimi, Vieira të ndalohej nga ushtrimi i çdo funksioni sportiv për pesë vjet dhe Benfica të përjashtohej nga garat sportive.