Barcelona mund të përballet me një dënim ekstrem, si zbritja e pikëve nga La Liga pasi katalanasit akuzohen se i paguan ish-zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik të Gjyqtarëve, Jose Maria Enriquez Negreira, 1.4 milionë euro (1.5 milionë dollarë) gjatë kohës që te Barça ishte në krye ish-presidenti Josep Bartomeu.
Negreira e mbajti rolin e tij në Federatën e Futbollit Spanjoll nga viti 1994 deri në 2018. Nga viti 2016 deri në 2018, Prokuroria e Barcelonës pretendon se Barca i ka paguar shumën një kompanie që zotëronte Negreira të quajtur DASNIL 95.
Siç shpjegohet nga programi i radios SER Catalunya, Negreira, i cili dikur ishte gjyqtar i La Ligës, mori 532,728.02 € (571,000 dollarë) në 2016, 541,752 € (580,000 dollarë) në 2017 dhe 341,000 dollarë në 2018 përmes DASNIL 95.
Faximile e Gjykatës në Barcelonë
Ish-presidenti Bartomeu shpjegoi se pagesa të tilla nuk janë një praktikë e re në Barcelonë dhe pretendon se klubi katalanas ka bërë pagesa për të njëjtën kompani që nga viti 2003, kur Laporta kishte mandatin e tij të parë si president. Historia u konfirmua nga Sandro Rosell, presidenti i klubit mes viteve 2010 dhe 2015. Laporta, kreu aktual i klubit ende nuk ka folur.
Para gjykatës dëshmuan disa ish-drejtues të Barcelonës, si dhe pronarë të kompanisë. Negreira nuk ka raportuar pagesat e sipërpërmendura nga Barcelona në administratën tatimore dhe thotë se nuk e ka bërë këtë sepse vetëm “u ofronte shërbime konsulence”.