Katër humbjet radhazi, vendi i fundit në Superligë dhe vetëm dy javë nga fundi i sezonit kanë bërë që te Laçi të ketë një situatë të vështirë. Pas 12 prillit, kur kurbinasit u mposhtën 1-0 nga AF Elbasani, ekipi i Laçit nuk është stërvitur dhe në klub ka pasur shumë debate, teksa sot priten ndëshkime dhe pezullime.
Prej 16 vitesh Laçi është pjesë e Superligës së futbollit, paçka se këtë sezon endet në ujëra të turbullta dhe e sheh veten në vendin e fundit me 33 pikë, tre më pak se zona e shpëtimit.
Ka qenë vetë klubi kurbinas që në një deklaratë të pazakontë në faqen zyrtare në "Instagram" ka pranuar situatën "mjaft të rënduar, si asnjëherë më parë". Në të bëhet me dije se dje ka pasur një takim me tone të larta mes drejtuesve dhe lojtarëve, ndërsa në një tjetër mbledhje të lënë për sot (15 prill) në orën 18:00 priten 'pezullime dhe ndëshkime të rënda'.
“Që prej ndeshjes së fundit, ekipi i Laçit nuk po stërvitet. Situata në ekip është mjaft e rënduar, si asnjëherë më parë. Ditën e djeshme është zhvilluar një takim mes drejtuesve dhe stafit ku debatet nuk kanë munguar dhe është vendosur që sot në orën 18:00 të mbahet një tjetër takim me ekipin në ambientet e stadiumit “Laçi” nga ku priten pezullime dhe ndëshkime të rënda. Takimi do mbahet me dyer të mbyllura”, shkruhet nga klubi në faqen zyrtare në 'Instagram'.
Pas 34 raundeve të këtij sezoni, Laçi me 33 pikë mban pozitën e dhjetë (të fundit) dhe e sheh veten në krizë të thellë, gjë që ka çuar në një situatë aspak normale për bardhezinjtë. Dueli i radhës për ta luhet më 19 prill në shtëpi, kundër Dinamos, por fatet e ekipit pritet të vendosen pas mbledhjes së sotme.
Postimi i Laçit
Komente
