Përplasja midis Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, pasi daja i këtij të fundit nuk pranon të japë dorëheqjen nga lista e mbyllur e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, duke mos lejuar avokatin të marrë mandatin e deputetit në Tiranë, po zbulon realitete të panjohura te partitë e reja, të cilat gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit pretendonin se po i servirnin shqiptarëve një politikë me mentalitet demokratik më të avancuar se aktualja, që do të fillonte zhbërjen e establishmentit.
Në akuzat e ndërsjella mes Lapajt e Shabanit, një tjetër personazh pranë këtij të fundit ka ndërhyrë, duke zbardhur, sipas tij, disa të vërteta lidhur me kreun e Nismës Thurje.
Napolon Laska, themelues dhe ish Sekretar i Përgjithshëm i "Nisma Thurje", e quan Shabanin hajdut kronik, akuzë të cilën përpiqet ta mbështesë në episode dhe ngjarje të ndodhura brenda kësaj forcë të re politike. Sipas Laskës, Shabani në kundërshtim me statutin e partisë dhe në shkelje të ligjit, ka falsifikuar vazhdimisht dokumenta për të qëndruar në krye të Nismës Thurje, me qëllim përfitimin e fondeve të KQZ.
Postimi i plotë i Napolon Laskës:
Si themelues dhe ish Sekretar i Përgjithshëm i Nisma Thurje duke marrë shkas nga zhvillimet e ditëve të fundit, nuk mund të rri i heshtur dhe pa thënë disa gjëra të cilat meritojnë vëmendjen e publikut.
Kur është themeluar Nisma Thurje si parti, në fund të vitit 2020, statuti parashikonte që mos të kishte një kryetar të modelit të forcave të vjetra politike, por të kishte rotacion çdo 2 vite pa të drejtë rizgjedhjeje.
Gjithashtu, kryetari edhe pse i sanksionuar në statut si i tillë për shkak të kërkesave të ligjit, nuk kishte të drejtë vendimmarrje, por vendimmarrjen e kishte Çentrali, organ I partisë në të cilin vendimet merreshin në mënyrë demokratike.
Me konsensus në atë kohë, edhe pse ishte përfshirë shumë vonë në Thurjen si organizatë, u vendos që Endri Shabani të ishte kryetar i parë I partisë, ndërkohë u vendos që unë të isha Sekretar i Përgjithshëm.
Ndërkohë që të gjithë ishim përqendruar në fushatë Endri Shabani e kishte mendjen si të linte vetëm veten në parti, për të administruar fondet që do vinin nga KQZ.
Pas zgjedhjeve të vitit 2021 duke qenë se Nisma Thurje përfitiu rimbursim për çdo palë zgjedhje të shpenzimeve dhe një fond rreth 240 mijë Euro në 4 vite.
Çdo akt i dorëzuar në gjykatë, para dhe pas zgjedhjeve të vitit 2021, për shkarkime apo zgjedhje apo zgjatje mandati në forumet drejtuese në parti është falsifikuar pasi asnjherë nuk është mbledhur kongresi dhe forume të tjera të partisë.
Sigurisht që pas zgjedhjeve u kujdes që të largoheshin dhe ata pak anëtarë që kishin ngelur, duke e kthyer Nisma Thurje nga shpresë për ndryshim në atë kohë, në Partinë njeriut të Vetëm.
Të gjitha këto falsifikime dhe qëndrimi i tij në krye të partisë në kundërshtim me statutin sigurisht që janë bërë për të vjedhur 240 mijë Eurot e akorduara nga KZQ.
Ndaj sot, nuk jam i habitur që ky hajdut kronik tenton të vjedhë mandatin e Adriatik Lapajt dhe Lëvizjes Shqipëria Bëhet duke shkelur mbi mundin dhe djersën jo vetëm të Adriatikut por të qindra dhe mijëra aktivistëve e mbi të gjitha mbi besimin e mbi 70mijë votuesve.
Hajdutët në politikê i kemi provuar, na dalin e teprojnë kêta që kemi.
Si shokët edhe Shabani do vejë në burg ku e ka vendin si hajdut e mashtrues.
Lajmi kryesor:
‘Lufta’ për mandatin/ Lapaj përplaset me Shabanin: Dajo s’të bëhet deputet, mbarë iu shkoftë! Kreu i 'Nismës': I kërcënove fëmijët (REPLIKAT)
K.M/ReportTv.al