Politikë

Platforma globale ‘Plug and Play’ në Tiranë, Rama ironi: Qeveria dhe AADF janë ‘grupi kriminal’ që grabitën Butrintin, na kanë vënë nga pas një kanarinë

31 Janar, 18:04| Përditesimi: 31 Janar, 20:17

  • Share

TIRANË- ‘Plug and Play’, platforma globale e zhvillimit të talenteve të teknologjisë, ka hapur qendrën në Tiranë, që synon të mbledhë jo vetëm talentet e vendit tonë, por edhe ata të Ballkanit. I pranishëm në eventin për hapjen e këtij programi, kryeministri Edi Rama tha se kjo platformë globale ka nxjerrë kolosë të teknologjisë dixhitale.

“Platformë globale që ka nxjerrë shumë kolosë të teknologjisë dixhitale dhe që do ta zgjidhet Tiranën, si qendrën e vet për këtë pjesë të botës, duke u bërë një portë e hapur për të gjithë vajzat dhe djemtë jo vetëm te vendit tonë, por të gjithë rajonit që kanë ambicie për tu bërë të mëdhenj në botën dixhitale. Ku askush në asnjë formë ose mënyrë nuk ka pengesë të natyrës diskriminuese. Në këtë botë nuk ka rëndësi ku je, kush je, çfarë ngjyre ka lëkura jote, çfarë feje i përket, apo nëse e mallkon zotin nga mëngjesi deri në darkë, ka vetëm një gjë rëndësi, çfarë fantazie dhe aftësie ke për tu dalluar nga të tjerët. Nga ana tjetër ka një gjë që duhet dhe gjëja që duhet është aksesi në hapësira si kjo e Plug and Play”, tha Rama.

Kreu i qeverisë thekson se hapja e kësaj platforme është një gur kilometrik në rrugën për transformimin e Shqipërisë. Rama u ndal edhe në projekte të tjera me fokus teknologjinë që kanë marrë jetë në vendin tonë, ndërsa tha se brenda një periudhe dy vjeçare të gjitha shkollat në vend do të jenë të pajisura me laboratorë smart.

“Është gur shumë i rëndë kilometrik në rrugën e transformimit rrënjësisht të Shqipërisë dhe në të përpjetën që kemi akoma për t’u ngjitur në majën e 2030. Ishim në hapjen e derës së Institutit të Teknologjisë së Rochester po në Tiranë, një ditë më parë ishim në hapjen e derës së qendrës së trajnimit për prodhimet audiovizuale, po bëhet gati të hapë dyert shkolla 42, qendra Tumo që mirëpret shumë fëmijë dhe përfitoj nga rasti ta përsëris që është në gjendje të mirëpresë akoma më shumë, po përgatisim dhe do japim jetë Vlora Tech Space në Vlorë, Tumo do degëzohet edhe në Shkodër, Elbasan e me radhë. Në të gjitha shkollat brenda 2 vitesh do kemi laboratorët smart, ka filluar vendosja e tyre dhe në mënyrë të vazhdueshme vendosim. Fazën e parë e kemi përmbyllur me AADF”, theksoi Rama.

Ky program është mundësuar nga nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) e Bashkia e Tiranës. E pikërisht për këtë arsye, Rama e pati një ironi me opozitën duke thënë se qeveria dhe AADF janë grupi kriminal që grabitën Parkun e Butrintit.

"Qeveria dhe AADF janë pesë e një grupi kriminal që ka bërë grabitjen e Butrintit, po të shihni në internet Parkun Arkeologjik, mos u nisni atje se s’ka gjë, gjithçka është marrë dhe është çuar diku dhe falë këtij fakti kemi përfituar shumë para që s’dimë ku ti çojmë dhe i hedhim kot për këto lodrat Plag and Play. Na kanë vënë pas një kanarinë që na këndon sa herë në sheh", vijoi Rama. 

“Plug and Play Tirana” ka çelur sot dyert në ambientet e Piramidës. Pas projekteve të ngjashme në kryeqytet, të tilla si Ecole 42, Micro-Folie apo qendra “Tumo”, kjo nismë vjen edhe në kryeqytetin shqiptar, i cili po kthehet në qendrën rajonale të këtyre sipërmarrjeve.

Ora 18:08
Platforma globale ‘Plug and Play’ në Tiranë, Veliaj: Regjistroni falas fëmijët nga mosha 12-18 vjeç, Bashkia 1.8 milionë euro mbështetje

 

“Plug and Play Tirana” ka çelur sot dyert në ambientet e Piramidës. Bashkë me kryeministrin Edi Rama, i pranishëm në këtë event, ishte edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e cilësoi “Plug and Play”, si një stacion tjetër që do të sjellë më pranë të rinjve shqiptarë, këto shërbime inovative. Ai nënvizoi faktin se Bashkia e Tiranës do jetë donatori kryesor i këtij projekti.

“Dua të falënderoj shumë ambasadën e Francës dhe gjithë kolegët në Paris. Qershia mbi tortë sot është “Plug and Play”. Bashkia e Tiranës do të financojë 1.8 milionë euro për “Plug and Play”, të tjerët do jenë nga fusha e qeverisjes, ministri të ndryshme që do bashkëpunojnë, do të ketë disa aleatë të tjerë nga fusha e biznesit, por më vjen mirë që jemi donatori kryesor. Bashkë me AADF ka qenë një projekt që e kemi inkubuar në Bashkinë e Tiranës, prej kaq vitesh. Më në fund ia kemi dalë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se kryeqyteti shqiptar është duke përjetuar një transformim të dukshëm në fushën e inovacionit, në sektorë të ndryshëm të teknologjisë e turizëm. Ai ftoi të rinjtë e kryeqytetit dhe jo vetëm, që të shfrytëzojnë këto hapësira, që ofrojnë një bazë të fortë talentesh për komunitetin e inovacionit dhe sipërmarrjes.

“Tirana ka 25% të output-it të vetë ekonomik punë digjitale dhe 25% turizëm. Kjo ishte e pa menduar 10 vite më përpara. Ndaj, më vjen mirë që  e kemi këtë mundësi, po kemi vend, kemi ende kapacitet për të rinjtë, sidomos nga zonat rurale: Kamza është vetëm nga ana tjetër e Lumit, Elbasani vetëm 25 minuta larg. Ftesa për të gjithë është: për fëmijët e moshës 12 deri 18, është falas, ju lutem regjistrohuni. Kemi vende për këtë semestër të ri që ka filluar, do vazhdojë punën edhe gjithë verën”, tha ai.

Veliaj u shpreh krenar për faktin se “Plug and Play” do të jetë pjesë e ekosistemit dhe komunitetit, që gëlon tashmë në ambientet e Piramidës. Ai theksoi se Tirana do të mikpresë një sërë eventesh, si dëshmi e progresit dhe realitetit të ri që po përjeton kryeqyteti shqiptar.

“Këtë vit Tirana është Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Ky vit ka nisur vrullshëm për Tiranën. Javën tjetër, të gjithë kryetarët e bashkive të Evropës Qendrore e Lindore do të jenë në Tiranë, për atë që quhet “Pakti i Qyteteve të Lira”; javën më pas, do lançojmë Tiranën si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Me iniciativën e Kryeministrit dhe me një super marketing, që i është bërë Tiranës, “Giro d’Italia” do të jetë këtu në fillim të majit. Në mes të majit do të jetë Komuniteti Evropian Politik që janë vende të BE, aspirantët, plus edhe vendet e tjera të kontinentit tonë. Nuk mund të kishte një vend më ideal se Tirana për të pasur “Plug and Play”. Më vjen mirë që nga të fundit, dolëm të parët. Kjo është një provë se gjithçka mund të ndryshojë. Mund të ndryshojë një shtet, një qytet, një realitet, një ekonomi e një shoqëri. Ju faleminderit që jeni pjesë e këtij ndryshimi”, përfundoi kryebashkiaku.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?