Atentati i ndodhur dy javë më parë ndaj Plaurent Dervishajt, Julian Meçes e mikut të tyre Bashkim Haxhija, duket se ka qenë i mirë organizuar deri në detaj.
Burime pranë grupit hetimor në policinë e Durrësit, bënë me dije për Report Tv se prej të paktën 5 ditësh, kanë mbajtur nën mbikëqyrje lëvizjet e Dervishajt, i cili dyshohet të ketë qenë edhe objektiv i sulmit me armë të ndodhur mesditën e 20 Qershorit.
Kjo, për shkak se Dervishaj kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer në Shqipëri.
Ditën e ngjarjes, mbetën të lënduar vetëm dy prej tyre, Julian Meçe me 3 plumba, e ndërsa Dervishaj mbeti i lënduar më lehtë. Ndërsa miku i tyre, Bashkim Haxhiaj, shpëtoi mrekullisht pa asnjë plumb.
Autorë të sulmit ishin dy persona, që pavarësisht hetimeve intensive të policisë e prokurorisë, ende nuk është identifikuar asnjëri prej tyre.
Nga ana tjetër, policia vijon hetimet edhe për identifikimin e bashkëpunëtorit tjetër të kësaj ngjarjeje, që dyshohet se ka ndihmuar atentatorët për lëvizjen e mjetit tip “Range Rover” me të cilin udhëtonte objektivi i tyre.
I vetmi person që vuri në pranga policia ishte Bashkim Haxhiaj, i cili është fiksuar nga kamera e sigurisë se ndjek autorët e sulmit e në dorë mban një pistoletë.