Lushnja dhe Besa do vijojnë të jenë pjesë e Kategorisë së Parë për sezonin e ri. Pasditen e sotme janë zhvilluar dy ndeshjet play-off për të marrë dy biletat e mbetura.
Në stadiumin e Rrogozhinës ekipi i Lushnjës fitoi 2-0 kundër Ilirisë. Djemtë e Gugash Maganit shënuan me Kasmollarin pas vetëm katër minutave lojë, ndërsa Dragoj në fund "vulosi" duelin me golin e dytë.
Në stadiumin e Vlorës, Besa fitoi 3-1 me AF Luftëtarin. Emini, Alphousseini dhe Spahiu shënuan për kavajasit. Ndërkohë gjirokastritët shkurtuan me Ziaj, por pa mundur që të rrezikonin për ta dërguar ndeshjen në shtesë.
Kujtojmë se Lushnja dhe Besa ishin pjesë e Kategorisë së Parë, teksa u renditën në vendet e fundit që të dërgonin në zonën e play-off dhe u ndeshën me dy skuadrat e ardhura nga Kategoria e Dytë.
Veç tyre, Kategorisë së Parë i shtohen edhe Pogradeci dhe Valbona që u shpallën kampione në grupet respektive të Kategorisë së Dytë.
Kategoria e Parë, play-off
E enjte, 16 maj 2024
Rrogozhinë/ Lushnja 2-0 Iliria (Kasmollari 4', Dragoj 90+2')
Vlorë/ Besa 3-1 AF Luftëtari (Emini 7', Alphousseini 32', Spahiu 55' / Ziaj 49')