SHËNGJIN- Plazhi i Shëngjinit u mbush plot me pushues këtë fundjavë të fundit të muajit shtator. Dielli i ngrohtë me temperatura deri në 30 gradë celsiusë riktheu pushuesit dhe vizitorët në këtë zonë turistike.
E gjithë vija bregdetare nga Rana e Hedhun deri në Kune ishte e populluar, ku dominonin shqiptarët e Kosovës. Pjesa më e madhe e tyre po kalojnë fundjavën në Shëngjin, por nuk mungonin as ata që kanë vendosur të bëjnë pushime në këtë periudhë, pasi e konsiderojnë vjeshtën si stinën më të mire për të bërë plazh.
"Për plazh, na favorizoi koha. Kemi bërë 1 orë not. Uji i shkëlqyeshëm, sikur ishte gushti, korriku njësoj. Kjo stinë është e mrekullueshme. Ne jemi në pritje për tetorin, se ne zakonisht bëjmë deri më 31 tetor plazh.
Gjithë verën e kalojmë këtej, sivjet kemi bërë plazh më shumë se asnjëherë tjetër. Kemi marrë kënaqësinë më të madhe nga ku vend. Plazhi është i jashtëzakonshëm, temperatura 26-27 gradë", shprehen pushuesit për Report Tv.
Pavarësisht motit të paqëndrueshëm, Shëngjinit nuk i kanë munguar pushuesit edhe gjatë muajit shtator dhe pritshmëritë pozitive janë edhe për tetorin, ku ditët me diell po shfrytëzohen maksimalisht nga pushuesit për të bërë plazh.