Një fëmijë rrezikoi të mbytej në det mesditën e së mërkurës në plazhin e Ranës së Hedhur në Shëngjin, ndërsa raste të tilla kanë qenë disa gjatë këtij sezoni turistik në bregdetin e Lezhës, duke vënë në pikëpyetje sigurinë në plazhe.
Përgjatë vijës bregdetare të Lezhës nga Rana e Hedhur deri në Tale, janë mbi 500 stacione plazhe, por në pjesën më të madhe të tyre mungojnë kullat e vrojtimit, ndërsa dhe aty ky janë nuk ka roje plazhi. Shqetësimi është ngritur nga eksperti i turizmit Leonard Seferi, i cili ju bën thirrje autoriteteve që të marrin masa të menjehershme për të garantuar siguri për pushuesit.
“Është një problematikë të cilën ne e kemi thënë shpesh herë por fatkeqësisht nuk ka gjetur akoma zgjidhjen e duhur. Marrim parasysh faktin se nëse sot i hidhni një sy vijës bregdetare të Shëngjinit deri në Tale kur janë mbi 500 stacione të kullave të vrojtimit, pothuajse nuk mund të shihni asnjë vrojtues që t’i shërbejë qytetarëve në kontekstin e sigurisë. Duhet një kontroll, monitorim e veprim. Duhet edhe vullnet i mirë për të zgjidhur këtë çështje. Thirrja ime është që të bëjë detyrën. Qytetarët zgjedhin vende të tjera me motivacionin se atje kanë gjithçka të sigurtë”, tha eksperti i turizmit Leonard Seferi.
Situata problematike sa i përket sigurisë pranohet dhe Bashkia Lezhë, e cila ka ngritur një task-force dhe prej dy ditësh po ushtrohen kontrolle në terren, ku paralajmërohen masa ndëshkimore ndaj subjekteve që kanë marrë në administrim hapësirën e plazhit, që nuk zbatojnë kriteret e përcaktuara në kontratën për stacionet e plazhit.
“Prej 2 ditësh është ngritur task forcë për monitorimin e stacioneve të plazhit. Disa masa kryesore që janë marrë kanë qenë ndotësit për arsye se Bashkia kompetencë kryesore ka pasur ndotjen e territorit. Janë vendosur disa gjoba. Do merren masa deri në heqje license nëse ato nuk plotësojnë kriteret e stacioneve të plazhit. Ne i kemi të dokumentuar dhe do vazhdojmë përditë, kush shkel e nuk zbaton ligjin, do ketë masa. Jemi në shërbim të turistëve për të garantuar turizëm sa më cilësor”, tha drejtori i turizmit në Bashkinë Lezhë, Ronaldo Xhanaj.
Mungesa e rojeve në bregdet është një problematike e vjetër që nuk po gjen zgjidhje, pasi interesi i të rinjve për tu certifikuar në këtë profesion është mjaft i ulët.