Është pensionist italian. Në Shqipëri është hera e tretë që vjen dhe këtë herë ka ardhur për të mos u kthyer më në vendlindjen e tij Veneto. Ka zgjedhur që kamperin e tij ta vendosë në plazhin e Darzezës, për hapësirën e pa fundme me rërë, natyrën dhe njerëzit mikpritës
“Vij nga Veneto. Kam ardhur këtu për klimën. Kam zgjedhur këtë plazh sepse ka shumë hapësirë krahasuar me plazhet e tjera që unë i kam vizituar. Natyra më pëlqen më shumë që është e jashtëzakonshme dhe egër. Këtu është ende natyra e egër. Një gjë tjetër që kam gjetur të jashtëzakonshme është mikpritja. Jam prej një muaji. Më pëlqen shume Shqipëria dhe kjo është hera e trete qe vij këtu për mos tu kthyer ne Itali”.
Por ai nuk është i vetmi që po pushon në këtë plazh, pasi e gjithë zona është e mbushur plot me turistë të tjerë të huaj, të cilët më së shumti janë të vendosur aty me kampera. Ka dhe nga ata që po jetojnë prej muajsh aty.
‘Në Darzezë na pëlqen natyra dhe ushqimi pasi është më ndryshe se në Itali. Hamë mish çdo ditë’, tha një tjetër.
“Ne kemi zgjedhur te vijme ketu ne Shqiperi dhe ne Darzeze pasi na pelqen natyra e bukur shqiptare dhe se dyti për mikpritja shqiptare”, tha një tjetër.
“Njerëzit janë të gjindshëm, të ndihmojnë. E zgjedhim plazhin sepse ka shumë hapësirë. Këtu ndihem më e lirë”, tha një tjetër.
Numri i lartë i turistëve të huaj dhe qëndrimi i tyre gjatë në Darzezë, ka ndikuar edhe në ekonominë e zonës.
“Unë jam një pronare lokali këtu në Darzezë. Jemi shumë të kënaqur, kemi shumë turistë të huaj. Rëra është kurative. Të huajt preferojnë gjërat e detit por dhe tradicionalet”, tha një pronare restoranti.
Darëzeza, është ndër të paktat zona bregdetare që i ka rezistuar ndërtimeve të pallateve apo resorteve.