Gjykata Kushtetuese

Plotësimi i Kushtetueses/ Tërhiqet Zhaklina Peto, nuk ka kandidatë mjaftueshëm për të zëvendësuar Vitore Tushën! Vijon procesi për 2 vendet e tjera vakante

23 Dhjetor 2021, 11:56| Përditesimi: 23 Dhjetor 2021, 11:59

  • Share

Vitore Tusha, edhe pse ka vite që i ka mbaruar mandati nuk do të mund të largohet nga pozicioni i anëtarës së Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi  ka vendosur në mbledhjen e djeshme pezullimin e vijimit të procedurave për plotësimin e vendit të lënë vakant prej saj pasi konstatoi se pas tërheqjes së kandidates Zhaklina Peto numri i kandidaturave për vendin vakant ka rënë nën tre.

Ndërsa shorti për zëvendësimin e vakancës së ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha vijojnë procedurat. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të vijojë punën me pikëzimin dhe renditjen e kandidaturave të cilët kanë kandiduar për vendin vakant të Z. Fatmir Hoxha.

Kujtojmë se Brunilda Kadi, Ilir Toska, Holta Zaçaj, Manjola Xhaxho dhe Tartar Bazaj janë kandidatët për të plotësuar në Gjykatën Kushtetuese vendin e lënë vakant nga Gani Dizdari, që duhet plotësuar nga Gjykata e Lartë. 

Gjykata e Lartë ka rinisur procedurat për plotësimin e 3 vakancave që kanë mbetur në Gjykatën Kushtetuese, anëtarë që duhet të zgjidhen nga radhët e gjyqësorit nga vetë ky institucion. Mungojnë kandidaturat pasi shumë pak plotësohen kriteret kushtetuese, ndaj edhe në KED ende nuk ka asnjë proces.   Një prej vendeve vakant është ai i gjyqtares Vitore Tushës, të cilës i mbaroi mandatin 9-vjeçar. Po ashtu vakant është edhe vendi i Fatmir Hoxhës, i cili u shkarkua në vitin 2018, si dhe i Gani Dizdarit, që u shkarkua në vitin 2019.

Aktualisht Gjykata e Lartë ka 7 anëtarë, të ndarë në 3 Kolegje. Konkretisht në Kolegji Penal janë gjyqtarët Ilir Panda, Sandër Simoni, Albana Boksi, Klodian Kurushi, Sokol Binaj. Në Kolegjin Civil të Gjykatës së Lartë është caktuar vetëm Ervin Pupe dhe në Kolegjin Administrativ vetëm Sokol Sadushi.

Kujtojmë se nëse në Gjykatën e Lartë nuk plotësohet kuorumi për të zhvilluar një mbledhje të vlefshme për zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.  Gjykata e Lartë duhet të ketë 17 anëtarë dhe për ta bërë një mbledhje të vlefshme për zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses duhet të marrin pjesë 3/4 e anëtarëve pra mbi 13 anëtarë.

Kriteret dhe kushtet e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese

1. Gjyqtari i Gjykatës Kushtuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:

a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

b) të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;

c) të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;

ç) të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;

d) të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;

dh) të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

2. Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duhet të plotësojë edhe këto kritere:

a) të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;

b) të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;

c) të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.

 

Procedura e zgjedhjes nga Gjykata e Lartë të tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

1. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, sipas këtij ligji, njofton për vendin vakant Kryetarin e Gjykatës së Lartë, i cili shpall në mjetet e informimit publik dhe në faqen zyrtare të internetit hapjen e procedurës së aplikimit. Kryetari i Gjykatës së Lartë pranon kandidaturat brenda 30 ditëve nga njoftimi, i bën ato publike dhe ia dërgon Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

2. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas vlerësimit të kushteve dhe kritereve të emërimit, brenda 10 ditëve rendit kandidatët dhe i paraqet Kryetarit të Gjykatës së Lartë raportin e miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve, bashkë me listën dhe dokumentacionin shoqërues, për çdo kandidat. Raporti i arsyetuar, pasi miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, publikohet.

3. Kryetari i Gjykatës së Lartë thërret mbledhjen e posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Mbledhja është e vlefshme nëse marrin pjesë jo më pak se tre të katërtat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Lista me kandidatët u bëhet e njohur më parë të gjithë pjesëmarrësve në mbledhje.

4. Për çdo vend vakant votohet për secilin nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Kandidati që merr tri të pestat e votave të gjyqtarëve të pranishëm shpallet i zgjedhur. Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i zgjedhur.

5. Emri i gjyqtarit të zgjedhur i njoftohet menjëherë Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?