Komisioni i Ekonomisë ka dhënë dritën jeshile për plotësimin e një prej 4 kërkesave të Ligës së Profesionistëve të Futbollit. U miratua projektligji për uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për investime në infrastrukturën sportive. Por ndryshe nga sa parashikonte drafti që nga kjo lehtësi të përfitonin vetëm kompanitë shtetërore dhe federatat sportive Komisioni i Ekonomisë vendosi të përfshihen edhe kompanitë private. Ky vendim u mor pas kërkesës së Deputetit të PS Fidel Ylli.
“Projektligji ka parashikuar uljen e TVSH-së së ndërtimit për objektet sportive nga 20% në 6% për investimet shtetërore, klubeve sportive, federatave sportive, në infrastrukturën sportive. Unë propozoj që krahas kësaj inventive për investimet shtetërore ose klubeve sportive, këtë lehtësi fiskale ta kenë edhe investimet private në fushë e sportit. Të tilla si fusha futbolli, pishina, kënde lojërash e të tjera" tha në komisionin e Edukimit Fidel Yllin.
Ç’ka do të zgjeronte infrastrukturën sportive dhe kjo të nxiste përdorimin e tyre nga rinia, sepse nuk mund të kërkojmë nga qeveria jonë që është e brishtë të ndërtojë çdo stadium në secilin qytet”
Përfshirja e privatit në këtë nismë u kundërshtua më herët nga Ministrja e Financave Anila Denaj, me argumentin se kompanitë private janë mbështetur me ligjin e sposorizimeve. Por komisioni nuk e mori parasysh.
“Ne sugjerojmë të mos shkojmë drejt këtij vendimi pra ta lëmë për investime publike dhe të federatave pasi nxitja përmes sponsorizimit edhe te duhura. Çdo 100 lekë sponsorizim, sposorizuesi përballon 55% të shpenzimit ndërsa 45% merret përsipër nga shteti”, pohoi Denaj.
Projektligji i miratuar në komisionin e ekonomisë dhe që do të marrë votën përfundimtare në parlament ka për qëllim mbështetjen, nxitjen dhe zhvillimin e sportit. Kjo lehtësi do të ketë ndikim negativ në të ardhura por ende nuk ka një vlerësim përfundimtar se sa të ardhura do të mungojnë në buxhet. Ky projektligj i miratuar sot vjen një ditë pasi Liga pranoi të bisedonte me përfaqësuesin e qeverisë për të zgjidhur këto çështje.