Nuredin Dumani dhe Erion Alibej

Kronikë

‘Plumbi i artë’/ Përplasje mes avokatëve dhe SPAK në seancë, GJKKO pranon që të njihen me dëshminë e Erjon Alibejt më 2022! Përjashtohet mbrojtësja e Altin Ndocit

1 Korrik, 12:34| Përditesimi: 1 Korrik, 13:52

  • Share

Tiranë- Në procesin e dosjes “Plumbi i artë” në GJKKO, ku bashkëpuntorë të drejtësisë janë Nuredin Dumani, Erjon Alibej dhe Skerdi Tase, u zhvillua debat i fortë në seancën e sotme, përsa i takon marrjes së 6 akteve hetimore, që kanë të bëjnë me dëshmi të Alibejt para prokurorëve.

Pasi GJKKO pranoi kërkesën e palës mbrojtëse të të pandehurve që të njiheshin me dëshmitë e Alibejt në aktet që disponon vetë SPAK, përplasjet vijuan më tej kur avokatja e të pandehurit Altin Ndoci, Elda Zotaj, kërkoi përjashtimin nga trupa gjykuese të kryesueses Engjëllushe Tahiraj. Kjo kërkesë solli reagimin e fortë të SPAK, ku prokurorët kërkuan përjashtimin e avokates, e cila bënte sjellje të qëllimshme.

Zotaj kishte pretenduar rrëzimin e kërkesave të njëpasnjëshme të palës mbrojtëse nga kryesuesja Tahiraj, që sipas saj, "merr vendime pa u konsultuar me dy anëtarët dhe merr parasysh vetëm kërkesat e organit të akuzës".

GJKKO e pranoi kërkesën duke e zëvendësuar Zotajn me Pranvera Docin, teksa gjithashtu pezulloi edhe afatet e paraburgimit të të gjithë të pandehurve. Seanca e radhës do mbahet të enjten në ora 10:00, ku do vijohet me dëgjimin e dëshmive.

Debatet mes palëve në GJKKO, çfarë ndodhi gjatë seancës, replikat dhe kërkesat

Prokurorja Doloreza Musabelliu deklaroi në sallë se:

“Këto janë provat që kemi sjellë në gjykatë. Sa i takon marrëveshjes ne e kemi në dosje. Nuk mund të vihet në diskutim statusi i bashkëpunotorit. Më 29 Qershor 2023 është lidhur marrëveshja. Vetë organi që ia heq statusin është vetëm organi i akuzës”.

Kurse avokati Aldo Shkëmbi teksa e kindërshtoi tha se kërkesa e tyre kishte bazë ligjore.

“Ne jemi në gjykim zakonshëm. Kërkesa jonë ka bazë ligjore. Nuk mund të na thuhet se sjellim çfare të duam”.

Prokurori Behar Dibra vuri në dukje se kërkesat e palës mbrojtëse ishin të përsëritura dhe duhet të përqëndroheshin te seanca.

“Këto janë kërkesa të përsëritura. Kur morëm në pyetje Erjon Alibej nuk u parashtrua kërkesa. Pyetjet duhet të bëhen mbi ato se çfarë ka thënë në senacë”, u shpreh përfaqësuesi i SPAK.

I pandehuri Xhuljan Hoxha reagoi:

“Nëse jemi për të vërtetën, duhet të jemi për të vërtetën dhe jo për trillime!”.

Avokati Henrik Ligori kërkoi deklarimet e plota.

“Ne duhet të kemi të plota deklarimet që ka edhe prokurori. Kjo është e pandershme. Nëse ka deklarime ato do duhet t’i kenë edhe palët në dispozicion”, deklaroi ai.

Në të njëjtën linjë ishte edhe avokati tjetër, Përparim Kulluri:

“Nëse përmendet emri i klientit tim, unë dua të njihem me to”, tha ai.

Pas këtyre diskutimeve Gjykata e Posaçme ka urdhëruar Prokurorinë që t’i vendosë në dispozicion deklarimet e Erjon Alibej gjatë vitit 2022.

Avokati Sokol Hazizaj i kërkoi gjykatës që në momentin kur të pyetet Alibej, të largohet Nuredini nga seanca. Kjo kërkesë gjeti kundërshti nga Prokuroria dhe nga vetë Dumani. Gjykata vendosi që gjatë dëshmise se Erjon Alibej, Dumani mund të qëndrojë.

Por seanca vijoi të kishte përplasje të mëtejshme mes palëve. Avokatja Elda Zotaj, e të pandehurit Altin Ndoci, kërkoi përjashtimin e gjyqtares Engjëllushe Tahiraj nga trupa e gjykimit në procesin “Plumbi i Artë”, e cila është edhe kryesuese e kësaj trupe.

Por u kundërshtua nga SPAK, që e cilësoi sjelljen e avokates “të qëllimshme”, duke kërkuar edhe zëvendësimin e saj.

Behar Dibra reagoi ashpër ndaj deklaratës së avokates, që pretendoi se kryesuesja Tahiraj rrëzonte kërkesat e avokatëve herë pas here:

“Avokatja Elda Zotaj ka sjellje të qëllimshme. Duhet të merret një vendim për të zëvendësuar avokaten, qoftë kryesisht apo dhe i pandehuri ta zëvëndësojë. Bën kërkesa të pambështetura në procedurë. Nuk ka respekt fare për trupën e avokatëve. Duket hapur sjellja e saj kontraverse. Kërkoj të merrni masa dhe të zgjidhet një përfaqëues tjetër për Altin Ndocin. Bëhet për të disatën herë shkak për ndërprerjen e seancës”.

Edhe prokurorja tjetër, Doloreza Musabelli tha se kërkesa e avokates për përjashtimin e gjyqtares ishte e pabazuar në ligj.

“Kërkesa është e pabazuar në ligj, kërkojmë të caktohet masë maksimale për avokaten dhe të njoftohet Dhoma e Avokatisë. Kërkojmë të mos vijojë seanca meqënëse Altin Ndoci ëahtë pa mbrojtëse ligjore”.

Gjykata e Posaçme vendosi edhe zëvëndësimin e Elda Zotajt me avokaten Pranvera Doci (avokate kryesisht). GJKKO njoftoi që vendimi të ankimohet brenda afatit ligjor.

Më pas GJKKO shtyu seancën dhe pezulloi afatet e paraburgimit për të pandehurit. Seanca e radhës do mbahet të enjten në ora 10:00, ku do vijohet me dëgjimin e dëshmive.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?