Kronikë

‘Plumbi i artë’/ Alibej rrëfen 'Masakrën e Bradasheshit' në GJKKO: Çopjat urdhëruan atentatin, qanë në varrimin e vëllait! Doja hak dhe 'kokën' e Talos! Nuredinin e regjistrova më 2020

29 Maj, 11:23| Përditesimi: 29 Maj, 18:45

  • Share

Tiranë- U zhvillua sot seanca e radhës në GJKKO për dosjen “Plumbi i artë”, me një tjetër dëshmi të bujshme.

Në rend ditë ishte parashikuar edhe nisja për herë të parë e dëshmisë së bashkëpunëtorit tjetër të drejtësisë, Erion Alibej, i cili akuzohet edhe si kreu i një organizate kriminale në Elbasan, porositëse e atentateve me pagesë për hakmarrje dhe motive që lidhen me krimin e organizuar, tek grupi i killerave që drejtonte i penduari Nuredin Dumani.

I njohur edhe me nofkën "Krymi", ai nisi të fliste sot (29 maj) për njohjen me Dumanin për herë të parë në vitin 2020, teksa tema e parë e bisedës ishin dyshimet se Nuredini dhe vëllai i tij kishin marrë pjesë në atentatin e Bradasheshit, ku Erionit iu vra i vëllai, Endrit Alibej, xhaxhai Arben Dylgjeri dhe një mik turk.

Alibej u shpreh në GJKKO se vetë Dumani kishte kërkuar që ta takonte në vitin 2020, teksa nga bisedat e bëra dhe informacionet e grumbulluara, të dhënat kryqëzoheshin tek vëllezërit Çopja si urdhërues të atentatit dhe Talo Çela e të tjerët si ekzekutorët.

Me Talon edhe Dumani kishte pasur konflikte që u kthyen më pas në hakmarrje, ndaj lindi edhe aleanca mes tyre. Alibej u shpreh se edhe me Suel Çelën kishte pasur hatërmbetje dhe ishte një prej të dyshuarve si urdhërues i atentatit ndaj familjes së tij.

Erioni i tha gjykatës se me vëllezërit Çopja dhe me Suelin njiheshin që në fëmijëri dhe kishin qenë shokë e miq deri kur nisën intrigat dhe përçarjet, me bazë gjithmonë biznesin e paligjshëm të trafikut të kokainës në Shqipëri, Itali, Holandë dhe deri në Angli.

"Nuredini kërkoi të më takonte pasi dëgjoi se kisha hedhur fjalë që jepja 100 mijë euro për vrasjen e Talo Çelës", tha ai mes të tjerash në dëshmi.

Alibej foli për të kaluarën e tij penale, aktivitetin shkollimin dhe njohjen me Nuredin Dumanin, i penduari tjetër i drejtësisë që ka zbërthyer në dosjen “Plumbi i artë” aktivitetin e organizatave kriminale.

“Betohem që do them të vërtetën, jam me arsim të lartë, kam qenë i dënuar në Itali, ndërsa në Shqipëri me dëshmi penaliteti rezultoj i pastër”, e nisi ai dëshminë.

Dhe më tej shpjegoi kërkimet që bëri për Dumanin para se ta takonte, duke i shpjeguar edhe se kush ishin vrasësit e familjarëve të tij (vëllait, dajës dhe kunatit turk), më 29 dhjetor 2018, në Bradashesh të Elbasanit:

“Për Nuredinin bëra kërkime, kisha çdo informacion, erdhi tek pallati në një shpi me qira që kisha marrë për djemtë e dajës tim, për 2 orë e 48 minuta, e regjistrova bisedën me Nuredin Dumanin, më shpjegoi se kishte dëgjuar që kërkoja Talo Çelën dhe më thotë që është në dijeni dhe Festim Qoli. I thashë OK. Nisa bisedën duke i shpjeguar kush janë ekzekutorët e familjarëve të mi”, u shpreh Alibej.

Bashkëpunëtori i SPAK tregoi edhe se çfarë i tha Nuredin Dumani për Dorjan Shkozën si pjesëmarrës në këtë atentat dhe njohjet e vëllait të tij Endrit Alibej me Hajdar Çopjan, të cilin e kishte ndihmuar më 2012 në Holandë që të strehohej e të niste punën në narkotrafik.

“Unë i tregova internerarin e makinës që ishte qëlluar nga të dyja anët, më tha ka qenë dhe një Dorjan Shkoza dhe ka qenë me makinë tjetër dhe ka zbritur duke qëlluar tek ana tjetër. Nuredini kishte hall se Dorjan Shkoza po e ndiqte atë dhe dashnorin me e ekzekutuar, Dumani më tha se kishte probleme vetë me ata, un i thashë më intereson vetem Talo Çela, unë e dija që financuesit e urdhëruesit ishin në Dubai, vëllezërit Çopja, miq të hershëm tanët", tha Alibej.

Alibej tregoi se Suel Çela i kishte vjedhur në Itali Hajdar Çopjas 2 kg kokainë, kurse ky i fundit i detyrohej gjysmë kg drogë borxh Arjan Spahiut. Alibej dëshmoi edhe se si e ndihmoi Suel Çelën që të arratisej nga arresti shtëpiak në Itali pas arrestimit për drogë.

"Unë kisha shumë kohë pa folur dhe takuar Suel Çelën për shkak të një hatërmbetjeje në lidhje me Arjan Spahiun, për trafikun e drogës. Një ditë më tha Endriti po vjen tek shtëpia Sueli me Sokol Sanxhaktarin, unë nuk doja t’i takoja, Sueli e filloi hershëm trafikun në Itali, ku dhe u arrestua, në Itali Sueli i vodhi Hajdar Çopjas 2 kg kokainë, Sueli shoqërohej me Klodian Çopjan, që Hajdari e kishte kushëri të dytë. E ndihmova Suelin edhe të arratisej nga arresti shtëpiak në Itali...", vijoi ai.

Më tej ai rrëfeu edhe se si e ngriti punën atje, larjen e borxheve dhe biznesin e madh ilegal të drogës që ngritën Çopjat në Angli.

“Në Angli shkova dhe tek shtëpia e Franc Çopjas, që rrinte në Totenham, e kontrollonte punën me telefon, shkova te një agjenci për shtëpi e mora dhe fillova të punoj shumë mirë, arrita të laj një borxh shumë të madh që kishte Endriti në atë kohë, punën e ngrita të mirë dhe të madhe, saqë rashë në sy dhe po m’u përmendte emri, ishte kohë krize. Në Angli pas disa kohësh erdhi një Ilir Lloshi, që bënte organizimin e punës për Hajdar dhe Franc Çopjan, më tha që Francit i ndodhi një problem me transportin e kuajve të drogës e ju kap një ngarkesë”, u shpreh Alibej në GJKKO.

Erion Alibej ka rrëfyer edhe episodet e periudhës kur nisën intrigat dhe konfliktet mes palëve, që tani janë shndërruar në dhjetëra viktima e ngjarje kriminale, që nga 2018. Shkaku kryesor ishin humbjet apo grabitjet e ngarkesave me drogë brenda dhe jashtë vendit.

“Në Angli Franc dhe Hajdar Çopjas u grabitën 50 kg drogë në bazën e tyre, dyshonin tek anglezët. Kur u ktheva në Elbasan, në qytet filluan intrigat, fjalët sikur Sueli kishte shtyrë një person me plagos dajën tim. Sueli është marrë gjithmonë me aktivitet kriminal, përveçse me drogë dhe në këtë periudhë kishin përplasje me grupin Çapja. Një konflikt i hapëm i fiseve, me Ardian Çapjan, Florenc Çapjan e Bledar Muçën. Shkuam tek shpia e Suelit, ishte dhe e ëma e vet aty, pasi u ulëm, Sueli i tha Endritit na ka ndodh një problem me punën e rrugës që kishin për një ngarkesë dhe na e kanë bërë ca rumunë që janë të Hajdar Çopjas, po ai e mohon dhe thotë që ka lidhje Endriti dhe për këtë doja të të pyesja. Endriti qeshi ironikisht dhe i tha s’kam lidhje me këtë punë...”, rrëfeu ai mes të tjerash.

Por momenti më i ‘nxehtë’ i dëshmisë së Alibejt ka qenë rrëfimi për atentatin ndaj familjes më 2018, kur vdiqën i vëllai Endriti, xhaxhai dhe një shtetas turk, mik i tyre. Ai tregoi çastet pas krimit, informacionet që i vinin, kush ishin njerëzit e parë që i erdhën për t’i treguar apo për të akuzuar.

Nga Çapjat tek Çopjat, që drejtonin gishtin nga Suel Çela, teksa dyshimet rriteshin se autorët mund të ishin Çopjat, miqtë e fëmijërisë së tyre, e që kishin përdorur si atentator Talo Çelën. Sipas Erionit, Çopjat edhe qanë në varrimin e Endritit.

“...Shumë shpejt më erdhën njerëz të familjes Çapja, Florenci dhe disa të tjerë, dola veç, i ngjova me Bledar Muçën dhe Florenc Çapjan. Bledari me tha: “I pata thenë Endritit të bënte kujdes, por s’me dëgjoi”. I thashë nga kush ? Më tha, ‘vetëm Suel Çela bën këto masakra! Bled Muça kishte pirë alkool, i thashë flasim në një moment tjetër, por më thanë na ke në krah, ashtu i interesonte. Po me vinin infotmacione pa fund, jo ta ka bo Kamer Mehja, jo Suel Çela, sidomos për Suelin. Rreth atyre ditëve më është përmend emri i Çopjave dhe ma ka përmend Sokol Sanxhaktari dhe më thonë që atentatin ja ka ba Talo Çela dhe Dari, për Hajdar Çopjan. Në ditën e parë, që akoma nuk i kisha përcjellë në varreza, Franc dhe Hajdar Çopjan i kisha aty poshtë shtëpisë dhe të gjithë bisedat e tyre e lidhnin me Suel Çelën dhe për më tepër ato kanë qajt në varrimin e vëllait...”, dëshmoi ai.

Alibej rrëfeu edhe bisedat e gjata me Suel Çelën, pasi dyshonte se një 'ushtar' i tij nga Shkodra kishte marrë pjesë në atentat, por ai e kishte garantuar se s'kishte lidhje me ngjarjen. Sueli, sipas tij, i kishte treguar edhe arsyen pse ishte vrarë avokati Ravik Gurra i familjes Çapja, pasi "i kishte fut shumë hunët te 'maci'", pseudonimi për Klodjan Çopjan. 

Alibej tregoi edhe për ndihmën që i jepte një oficer policie, i cili e ndihmonte me informacion dhe akses nga sistemi TIMS, kurse ky i kishte dhuruar një telefon të koduar SKY ECC. Bashkëpunëtori i drejtësisë u shpreh se ish-kryepolici i Elbasanit Altin Qato i kishte shkuar shumë pranë zbardhes së vrasjes së vëllait të tij, Endrit Alibej dhe dy të tjerëve, por e kishin larguar menjëherë si drejtor.

Dëshmia e Dumanit tre vite më parë zbërtheu të paktën 8 organizata kriminale në dosjen “Plumbi i Artë”, me të paktën 32 të akuzuar, pjesa më e madhe të arrestuar dhe disa prej krerëve të grupeve ende në arrati, të fshehur në Dubai apo pa gjurmë.

Dumani ka rrëfyer për aktivitetin kriminal me pagesë dhe porositë që merrte nga platformat e koduara si SKY ECC, Matrix apo BQ, duke zbardhur edhe 3 fjalëkalimet që përdorte, të cilat ia ka vënë në dispozicion SPAK për të dekriptuar bisedat, fotot, filmimet, që tashmë janë edhe si prova materiale në proces. Mes tyre, edhe njohjet dhe bashkëpunimin me Suel Çelën, mikun e kthyer në armik Talo Çela, porositë nga Erion Alibej, si dhe të organizatave të tjera.

Ora 17:53
‘Plumbi i artë’/ Dëshmia e Alibejt: Polici me jepte akses me informacione në TIMS, unë i dhashë telefon të koduar me SKY ECC

Erion Alibej dhe Gjykata e Posaçme

Erion Alibej ka konfirmuar në dëshminë e tij ditën e sotme në GJKKO atë që dyshohej hershëm, se shumë oficerë të Policisë së Shtetit mbanin telefona të enkriptuar me platformën SKY ECC.

Një polici ai tha se i kishte siguruar në telefon të koduar në këmbim të aksesit në sistemin TIMS për informacion mbi personat që ishte i interesuar. Alibej nuk ia publikoi emrin pasi ishte ngjarje nën hetim, por prokurori ndërhyri duke sqaruar se oficeri nuk ishte pjesë e këtij gjykimi.

“Tek Ardian Çollaku, që sot është i ndjerë, mora informacion, por unë u lidha dhe me një punonjës policie, i dhashë një Sky Ecc, kisha akses në TIMS përmes tij, kërkoja informacion për emra, ai m’i çonte me foto të dhënat. Emrin s’po e them se është në hetim...”.

Në këtë moment ndërhyn prokurori i dosjes, që tha se s’ishte nevoja të përmendej emri i policit:

“S’ka nevojë, se s’është objekt i këtij gjykimi”.

Ora 16:30
Alibej: Qato i shkoi afër zbardhjes së masakrës së Bradasheshit, por e hoqën! Sueli më tha se avokati Gurra u vra se ‘i futi shumë hunët te ‘maçi’

Viktimat e atentatit të Bradasheshit, më 2018, në Elbasan

Erion Alibej ka rrëfyer edhe bisedat me Suel Çelën pas vrasjes së vëllait dhe dy të tjerëve në atentatin e vitit 2018.

Çela i ka thënë me garanci se nuk qëndronte ai pas atentatit me 3 të vrarë, por Alibej e kishte vënë në dijeni se një nga ‘ushtarët’ në krim ishte anëtar i tij, nga Shkodra.

Gjithashtu ka rrëfyer detaje mbi motivin e mundshëm të vrasjes së avokat Ravik Gurrës në Elbasan, por Sueli i kishte treguar se “i futi shumë hunët te ‘maci’ (Klodian Çopja)”.

Erioni tha në gjykatë se ngjarja ishte drejt zbardhjes nga ish-drejtori Altin Qato në atë kohë, por atë e hoqën nga Elbasani për arsye të panjohura dhe u emërua Arjan Muça në vend të tij.

Dëshmia e Erion Alibejt:

“I thashë Suelit që një nga gjujtsit është ushtari jot, një shkodran që thirrej “Naqo”. Sueli i shkuajti direkt atij. Pastaj në bisedë i thashë po me avokat Ravikun ça patët? Më tha ‘i futi hunët shumë tek “maçi” (Klodian Çopja). Kam fol shumë aty me Suelin dhe më garantoi se janë Çopjat pas asaj që më ndodhi.

Nga ky person mora vesh se nga hetimet kishte dalë një motor që ndiqte “Range Rover”, mora vesh që Altin Qato ishte drejt zbardhjes së ngjarjes, por nuk e di, nuk e lanë dhe e larguan nga aty, erdhi Arjan Muça më pas drejtor”.

Ora 16:05
Alibej: Shefi i komisariatit ishte shitur te Suel Çela, i thashë që 'më mirë të ikte nga qyteti'! Pas vrasjes së vëllait më liruan, isha në kërkim! Dëshmova para Qatos e Brahimajt

Endrit dhe Erion Alibej pas arrestimit në Itali, Suel Çela, Hajdar Çopja dhe momenti pas atentatit në Bradashesh më 2018

Pas ekzekutimit të vëllait, xhaxhait dhe shtetasit turk më 2018 në një atentat në Bradashesh të Elbasanit, Erion Alibeaj dëshmoi sot në GJKKO se nuk dinte si të vepronte për momentin kur i vinin informacione nga të gjitha anët dhe vizita ngushëllimi nga anëtarët e të gjitha grupeve ku dyshonte.

Suel Çela i kishte dhënë garanci se nuk e kishte bërë ai, familja e tij e kishte ngushëlluar me vizitë në shtëpi, kurse nga krahu tjetër Policia e kërkonte të depononte në Komisariat se për çfarë dyshonte.

Alibej i tha gjykatës se ai ishte në kërkim për Xhoni Rustën që e kishte plagosur dhe vetëm me atë kishte konflikte, por Policia i kishte dhënë garanci se do e lironin që të kujdesej për familjen pas ngjarjes.

“Edhe në analizat e mia vetëm problemin me Xhoni Rustën më dilte. Edhe pse më vinin fjalë për vëllezërit Çopja, prapë s’i besoja. Më ka ardhur dhe familja e Suelit, ushtarë të tyre, ndër to dhe “Nino”, bisedova dhe me Suelin dhe më tha rri i qetë, se do dalë e vërteta, shyqyr s’ke qenë dhe ti në makinë. I thashë, po kush ka gjujt? Ditën që çova familjarët në banesën e fundit, drejtor në Elbasan ishte Altin Qato, më vijnë policët dhe donin të flisnin me mua, ndërkohë unë isha në kërkim. Niko Brahimaj ishte tek Krimet e Rënda, më thanë hajde të deklarosh dhe do të lirojmë sërish, të jesh afër familjes. Shkova, ishte Qato, Brahimaj dhe shefi i komisariatit, që e dija që ishte i shitur tek Suel Çela. I thashë nuk e dua këtë këtu, e nxorën jashtë, më thanë e dimë që je në kërkim, por na ndihmo me ndonjë informacion te kush dyshon. I thashë do ju duket çudi, por mos kaën ngatërruar objektiv, nuk di ku t’ju drejtoj, siç ma dhaën fjalën që do përcillja familjarët në banesë, më liruan. I thashë atij shefit të komisariatit që nxorën jashtë, ‘bën mirë të ikësh nga ky qytet’!”, dëshmoi bashkëpunëtori i drejtësisë.

Ora 15:40
Alibej: Pas vrasjes së vëllait Çapjat më thanë se e bëri Suel Çela! Por dyshimet ishin te Franc dhe Hajdar Çopja, ata qanë në varrimin e Endritit! Përdorën Talo Çelën

Krimi ka kodet dhe gjuhën e tij, por ajo që vlerësohet si më e frikshme është gjakftohtësia dhe deri pandjeshmëria me nota hipokrizie, ku shpesh autorët e vërtetë dyshohet se marrin pjesë në ceremoni mortore dhe qajnë për viktimat.

Një prej këtyre rasteve e ka rrëfyer nëpërmjet dëshmisë dhe pretendimeve të tij në GJKKO, bashkëpunëtori i drejtësisë Erjon Alibej.

Ai foli për atentatin e 29 dhjetorit 2018 në Bradashesh të Elbasanit, ku u vranë i vëllai Endriti, xhaxhai Arben Dylgjeri, si dhe një shtetas turk, mik i familjes. Alibej tha sot në sallën e gjyqit se informacionet që i vinin ishin më shumë rreth Suel Çelës, kurse Çapjat erdhën ndër të parët në shtëpi, pasi ashtu u interesonte, ndërsa ishin në konflikt me Çelën. Por më pas informacionet vijuan edhe për vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, të cilët sipas tij ishin në varrim dhe madje derdhën lotë për Endritin.

Dëshmia e Erion Alibejt për atentatin ndaj vëllait:

“Shtetasi turk ka qenë edhe më herët në Shqipëri, kur vajza ime mbushi 1 vjeç, ishte mik i ngushtë i joni për shkak të marrëdhënieve të punës me Endritin. Mbrëmjen e masakrës Endriti ishte në Tiranë me disa miq, pastaj u nis për Peqin tek dajat e mi, ku ishin mbledhur, teksa un po çoja ca dhurata për fundvit tek një miku jonë noter, i ra telefoni Besmir Lalës, dëgjova që ishte nusja ime, se un nuk mbaja telefon, pasi isha kërkim. I thashë çfarë ka, ndërkohë aty erdhi një X6 e bardhë që e dija që ishte e Mikael Qosjes, që ja kishte bërë dhuratë Franc Çopja, e di që e kanë ndërruar me kokainë. Besmiri më tha që shpejt se i kanë gjujt Endritit, Mikaeli ishte me Ervis Çopjan në makinë, m’u afrua me makinë, unë i thashë a ke “hekër”, për armë. Më tha jo, pse ça ka ndodh, mbylla xhamin e ika në vendngjarje. Nusja e vëllait tim, shtetasja rumune ishte në muajin e fundit te shtatëzanise, ishte gëzim i madh për ne. U nisën me 2 makina, gratë veç, Endriti, shtetasi turk dhe xhaxhai në një makinë, isha i pari në vendgjarje, s’kishte njeri as polici, e çuditshme, aty rri gjithmonë një patrullë policie, edhe tani po të kalosh ka aty patrullë, gjeta nënën, tezen, motrën, kalamajtë që ulërisnin, ishte një skenë që nuk e përshkruaj dot. Kapa Endritin, m’u duk i ngrohtë, por kishte shumë plumba në një anë, erdhi një furgon policie dhe ambulanca, por ndërruan jetë në spital. Sapo shkova në shtëpi po vinin shumë njerëz, miq dhe shokë, shumë shpejt më erdhën njerëz të familjes Çapja, Florenci dhe disa të tjerë, dola veç, i ngjova me Bledar Muçën dhe Florenc Çapjan. Bledari me tha: “I pata thenë Endritit të bënte kujdes, por s’me dëgjoi”. I thashë nga kush ? Më tha, ‘vetëm Suel Çela bën këto masakra!

Bled Muça kishte pirë alkool, i thashë flasim në një moment tjetër, por më thanë na ke në krah, ashtu i interesonte. Po me vinin infotmacione pa fund, jo ta ka bo Kamer Mehja, jo Suel Çela, sidomos për Suelin.

Rreth atyre ditëve më është përmend emri i Çopjave dhe ma ka përmend Sokol Sanxhaktari dhe më thonë që atentatin ja ka ba Talo Çela dhe Dari, për Hajdar Çopjan. Në ditën e parë, që akoma nuk i kisha përcjellë në varreza, Franc dhe Hajdar Çopjan i kisha aty poshtë shtëpisë dhe të gjithë bisedat e tyre e lidhnin me Suel Çelën dhe për më tepër ato kanë qajt në varrimin e vëllait”.

Ora 15:14
Alibej: Kur u ktheva në Shqipëri më ndiqnin, Xhon Rustën e plagosa! Isha në kërkim kur u vra vëllai, Genc Tafili më siguroi radio policie!

Erion Alibej dhe i vëllai, Endriti, i vrarë në vitin 2018 në një atentat në Bradashesh të Elbasanit

Endrit Alibej ka rrëfyer sot edhe për kohën kur u kthye nga Anglia në Shqipëri, ndjekjen me makina që i bëhej, plagosjen e personit që e ndiqte nga pas dhe për të cilën u shpall në kërkim dhe deri te personi që i siguroi një radio për të gjurmuar valët e policisë.

“Në Angli qëndrova deri në fillim të vitit 2018, u ktheva përfundimisht në Shqipëri, kisha një “Audi” gri që ja lija dhe të afërmëve qq më thonin se me këtë makinë na ndjekin. Një herë kur po dilja me familjen, vura re që më ndiqte Xhoni Rusta, ne e kishim mbyll këtë histori, një ditë shkova tek lagja “5 Maji”, më ndiqte një “Audi” i bardhë, kisha edhe armë për vetëmbrojte, ishin 4 vetë, më parakalon dhe më provokon duke ardhur afër. Unë e qellova nga pas, e plagosa, s’i kisha më faj, u shpalla në kërkim, isha në kërkim dhe kur ndodhi ngjarja 29 dhjetorit 2018”, rrëfeu bashkëpunëtori i drejtësisë.

Alibej ka treguar edhe episode se si arriti të mos kapej gjatë kohës që ishte në arrati. Ai tregoi se organizonte festa me miqtë në Peqin çdo fundviti, bënte dhurata për ta me pula e gjela deti. Kurse Genc Tafili, nga Shkodra, i kishte siguruar edhe një radio policie, që të përgjonte valët nëse shpallej targa e tij, pasi ishte në kërkim.

“Endriti erdhi më 17 dhjetor 2018, pasi kishim sebep, shkonim shpesh në Peqin për festa dhe lokalet në zonë, çdo fundviti unë mblidhja miqtë e afërt, ose i çoja pula apo gjela deti, edhe pse isha në kërkim lëvizja i lirshëm. Një djalë nga Shkodra më dha një radio që ishte në kanalin e policisë, radion e sigurova nga Genc Tafili, lëvizja lirshëm pasi do e dëgjoja nëse targa ime do jepej në radio”.

Ora 13:23
Alibej: Intrigat nisën kur humbën ngarkesat me drogë në Angli të Çopjave dhë në Shqipëri e Çelës! Ja çfarë na tha Sueli, mua dhe Endritit

 

Erion Alibej, Suel Çela dhe atentati ku u vra Endrit Alibej dhe 2 familjarë të tjerë, më 2018

Erion Alibej ka rrëfyer në Gjykatën e Posaçme ditën e sotme ehde periudhën kur nisën intrigat mes tre grupeve kriminale të Elbasanit, që në fakt sipas tij ishin shokë fëmijërie dhe që përplasjet i ndanë në konflikte tashmë të përgjakshme.

Ai rrëfeu disa episode trafiku që mendohet se kanë sjellë edhe sherret mes tyre për kontrollin e aktivitetit dhe baza e ngjarjeve ishte pikërisht humbja e ngarkesave me drogë apo dhe grabitja.

Në Angli, bashkëpunëtori i drejtësisë tregoi për episodin ku Çopjat pretendonin zhdukjen e 50 kg drogë nga baza e tyre dhe më tej kur u kthye në Shqipëri, ishte Suel Çela që kishte po pretendim për humbje ngarkese. Sipas Suelit, Çopjat i kishin thënë se i përfshirë ishte vëllai i tij, Endriti, por ky i fundit e mohoi.

Prezent në takimin te shtëpia e Suelit ka qenë edhe Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryebashkiakut të ndjerë, Qazim Sejdini. Alibej deklaroi se "intrigat nisën në Shqipëri" gjatë vitit 2018, kur edhe i vëllai i vra në atentat në Bradashesh, bashkë me xhaxhanë dhe kunatin turk.

“Vazhdova punën fuqishëm me shitjen e kokainës në Angli, dua të shpjegoj se është e pavërtetë që lufta ka nisur për një ngarkesë prej 50 kg drogë. Ilir Lloshi është shok fëmijërie i Hajdar Çopjas, më çoi një SMS dhe më tha dua të takoj se jam shumë keq, më tha që jam te shtëpia e një djali që quhej Foksi dhe ky shok fëmijërie i Hajdarit. Ilir Lloshi me çoi foto, ishte me sy të nxirë, e kishin goditur, shkova tek shtëpia e Foksit, dhe më tha desh më vranë, i shpëtova nga duart anglezëve, i thashë të paskan masakru, më tha që erdhi një ngarkese prej mbi 50 kg e ca kokainë Francit, unë me këta Çopjat s’po flisja më në këtë kohë, më tha që kjo ngarkesë ishte grabitur, kishte shkuar policia tek shtëpia ku mbahej, e mora 2 javë këtë Ilirin në shtëpi, më shpjegoi se Franc Çopja kishte një ortak anglez, morëm vesh se në shtëpinë ku mbahej droga kishin lidhur një djalë nga Elbasani dhe kishin marrë çfarë kishin gjetur.

Në qytet filluan intrigat, fjalët sikur Sueli kishte shtyrë një person me plagos dajën tim. Sueli është marrë gjithmonë me aktivitet kriminal, përveçse me drogë dhe në këtë periudhë kishin përplasje me grupin Çapja. Një konflikt i hapëm i fiseve, me Ardian Çapjan, Florenc Çapjan e Bledar Muçën.

Pasi erdha në Shqipëri, ishim tek lokali dajës, kaluan me “Range Rover” Sueli i ati i tij dhe Sokol Sanxhaktari. Sueli hapi xhamin dhe i tha Endritit, hajde pak tek Tregu. I thashë Suelit s’ke turp që drejton gishtin, i fola rëndë, doli Sokol Sanxhaktari më tha o Erion ça po flet, ishte koha që ky merrte njerëz i dhunonte te Tregu. Shkuam tek shpia e Suelit, ishte dhe e ëma e vet aty, pasi u ulëm, Sueli i tha Endritit na ka ndodh një problem me punën e rrugës që kishin për një ngarkesë dhe na e kanë bërë ca rumunë që janë të Hajdar Çopjas, po ai e mohon dhe thotë që ka lidhje Endriti dhe për këtë doja të të pyesja. Endriti qeshi ironikisht dhe i tha s’kam lidhje me këtë punë. Ndërhyri Sokol Sanxhaktari dhe i tha Suelit “ha e dak, a të thashë që ata quksat, për Çopjat”. Shkova takova të ëmën e Suelit, Hanën, u përlot, më përqafoi, s’e kam pas shkuar te shtëpia kur Sueli ishte në burg, në Itali”.

Ora 13:00
Alibej: Takimi me Sokol Sanxhaktarin për cilësinë e drogës! Në Angli punova me mall për të larë borxhet, Hajdar e Franc Çopja drejtonin trafikun e kokainës

Erion Alibej ka vijuar dëshminë si bashkëpunëtor i drejtësisë në GJKKO, teksa ka rrëfyer për takimet me Suel Çelën dhe Sokol Sanxhaktarin (dhëndrin e dënuar për vrasje të ish-kryebashkiakut të ndjerë të Elbasanit, Qazim Sejdini).

Gjithashtu ai ka dhënë detaje me rëndësi hetimore sipas SPAK, edhe për aktivitetin kriminal në trafikun e drogës në Europë nga vëllezërit Çopja.

Alibej tha se Hajdar Çopja bënte trafik me “kuaj droge” nga Gjermania për në Angli dhe më gjerë, kurse i vëllai, Franci, ishte vendosur në Totenham, nga drejtonte të gjithë biznesin me telefon. Alibej rrëfeu vështirësitë e para, emigrimin në Angli te xhaxhai, Arben Dylgjeri, punën me drogë për të larë borxhin e vëllait, Endritit, ngritjen e punës dhe aktiviteti që bënin vëllezërit Çopja.

“Kur erdhi Sueli tek shtëpia me Sokol Sanxhaktarin, më tha Endriti do i takojmë se janë për një cilësi droge, e takova ftohtë Suelin. Këmbëngula të ikja në Angli për të punuar, sepse Endriti kishte borxhe dhe doja ta ndihmoja t’i lante, shkova me kamion, në fillim ndenja tek xhaxhai Arben Dylgjeri, se kishte idenë ça pune do bëja, kisha mundësi të furnizohesha dhe shitja kokainë, por hasa vështirësi për shtëpi, Hajdar Çopja bënte transport me kuaj rruge shumë të sigurt, nga Gjermania bëhej nisja, deri në Belgjikë e Holandë”, ka vijuar rrëfimin bashkëpunëtori i drejtësisë.

Më tej ai rrëfeu edhe se si e ngriti punën atje, larjen e borxheve dhe biznesin e madh ilegal të drogës që ngritën Çopjat në Angli.

“Në Angli shkova dhe tek shtëpia e Franc Çopjas, që rrinte në Totenham, e kontrollonte punën me telefon, shkova te një agjenci për shtëpi e mora dhe fillova të punoj shumë mirë, arrita të laj një borxh shumë të madh që kishte Endriti në atë kohë, punën e ngrita të mirë dhe të madhe, saqë rashë në sy dhe po m’u përmendte emri, ishte kohë krize, se s’kishte shumë mall e po kapeshin shumë dërgesa, punova me shumë shqiptarë atje, i pari që bashkëpunova atje ishte një Ylli nga Rrogozhina dhe Klodi nga Durrësi. Në Angli pas disa kohësh erdhi një Ilir Lloshi, që bënte organizimin e punës për Hajdar dhe Franc Çopjan, më tha që Francit i ndodhi një problem me transportin e kuajve të drogës e ju kap një ngarkesë”, u shpreh Alibej në GJKKO.

Ora 12:29
Alibej: Me Çopjat dhe Suel Çelën njihesha që fëmijë, vëllai kishte bazë edhe në Angli! Sueli i vodhi Hajdarit 2 kg kokainë në Itali, kisha hatërmbetje me të

Erion Alibej dhe Suel Çela

Erion Alibej ka vijuar dëshminë e fortë për dosjen “Plumbi i artë” ditën e sotme në GJKKO, si bashkëpunëtor i SPAK në zbërthimin e një serie ngjarjesh kriminale dhe trafiku të drogës.

Ai rrëfeu edhe njohjet e hershme që në fëmijëri me Suel Çelën dhe Hajdar Çopjan, që gjithashtu edhe i vëllai i tij i ndjerë, Endriti, i kishte shumë miq, teksa zbuloi edhe konfliktet për çështje droge jashtë vendit, nga Holanda në Itali dhe më gjerë.

Alibej tregoi se Suel Çela i kishte vjedhur në Itali Hajdar Çopjas 2 kg kokainë, kurse ky i fundit i detyrohej gjysmë kg drogë borxh Arjan Spahiut.

Alibeaj dëshmoi edhe se si e ndihmoi Suel Çelën që të arratisej nga arresti shtëpiak në Itali, pas arrestimit për drogë.

Ai tha se:

“Kam pasur shoqëri me Suel Çelën, Hajdar Çopjan e njihja familjarisht, Elbasani është i vogël, njihemi që fëmijë. Ne s’kemi pasur probleme apo t’i kemi hyrë në hak dikujt, vetem se na kanë pasur borxh. Endriti kishte bazë edhe në Angli, unë kisha shumë kohë pa folur dhe takuar Suel Çelën për shkak të një hatërmbetjeje në lidhje me Arjan Spahiun, për trafikun e drogës. Një ditë më tha Endriti po vjen tek shtëpia Sueli me Sokol Sanxhaktarin, unë nuk doja t’i takoja, Sueli e filloi hershëm trafikun në Itali, ku dhe u arrestua, në Itali Sueli i vodhi Hajdar Çopjas 2 kg kokainë, Sueli shoqërohej me Klodian Çopjan, që Hajdari e kishte kushëri të dytë. E ndihmova Suelin pas arrestimit, kur ishte në arrest shtëpie, shkoi Arjan Spahiu e mori, hyri nga Franca dhe e nxori, Sueli i kishte borxh Arjanit për gjysmë kile kokaine, hyra unë garant për këtë gjë që mos të ziheshin”.

Ora 12:16
Alibej: Urdhri për vrasjen e vëllait tim u dha nga Dubai prej vëllezërve Çopja! Endriti e ndihmoi Hajdarin në Holandë! Dumani më tha se Dorjan Shkoza mori pjesë

Talo Çela, Erjon Alibej dhe Nuredin Dumani

Erion Alibej ka vijuar dëshminë e tij si bashkëpunëtor i drejtësisë në SPAK, ku sot në GJKKO rrëfeu se pas atentatit ndaj familjes së tij me 3 të vrarë më 2018 qëndrojnë vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja, të shpallur në kërkim dhe që dyshohet se fshihen në Dubai.

Ai tregoi edhe se çfarë i tha Nuredin Dumani për Dorjan Shkozën si pjesëmarrës në këtë atentat dhe njohjet e vëllait të tij Endrit Alibej me Hajdar Çopjan, të cilin e kishte ndihmuar më 2012 në Holandë që të strehohej e të niste punën në narkotrafik.

“Unë i tregova internerarin e makinës që ishte qëlluar nga të dyja anët, më tha ka qenë dhe një Dorjan Shkoza dhe ka qenë me makinë tjetër dhe ka zbritur duke qëlluar tek ana tjetër. Nuredini kishte hall se Dorjan Shkoza po e ndiqte atë dhe dashnorin me e ekzekutuar, Dumani më tha se kishte probleme vetë me ata, un i thashë më intereson vetem Talo Çela, unë e dija që financuesit e urdhëruesit ishin në Dubai, vëllezërit Çopja, miq të hershëm tanët.

Dumani më tha se Talo Çela shkon shumë dhe me Festim Qolin, më tha që për vrasjet un marrë gjysmat e lekëve, e pashë që nuk kishte telefon të enkriptum, i shpjegova Arjanit që Nuredini s’ka SKY ECC dhe i dhashë një iphone 6 që kishte të instaluar sky ecc, i dhashë dhe 50 mijë euro, e mësova dhe si përdoret SKY ECC.

Vij nga një familje ku babi na la të vegjël pasi vdiq, jemi familje e respektume në qytet, ishte vllai që emigroi në fillim në Greqi, pastaj në Itali, nga 2006 deri në 2018 , është marrë me punë të paligjshme trafikant droge, unë s’u përzieva, u kujdesja për familjen se kisha nënën e sëmurë, Endriti është marrë vetëm me drogë, në 2009 shkoi në Holandë, vëllai im ishte 2 vjet më i madh, unë në 2010-tën shkova në Itali me marrë ilaçe për 2 javë, Endritin e kërkonte Italia gjatë kësaj kohe, ditën e funit që do kthehesha më arrestoi policia dhe u dënova 3 vite e 4 muj sikur isha pjesëtar i grupit, megjithëse s’kisha lidhje, pasi u lirova në 2012-ën Endriti ishte sërish në Holandë dhe më dërgoi një vajzë që më mori, shkovva në Rotherdam, e gjeta me Hajdar Çopjan, njohje e hershme, më tha Endriti donte ta ndihmonte se sa kishte ardh në Holandë, sa të gjente një shtëpi. Endriti kishte shumë lidhje edhe në shtetin holandez, të gjithë donin të punonin me të”.

 

Ora 12:03
‘Plumbi i artë’, Petrit Qoli në GJKKO, akuza të penduarit: Më mirë 10 Nuredin Dumani në Dubai, se një i pafajshëm në burg!

Gjykata dhe Prokuroria e Posaçme

Në nisje të seancës gjyqësore në GJKKO ditën e sotme, ka folur edhe i pandehuri Petrit Qoli, i cili pretendoi edhe një herë pafajësinë, duke sulmuar Dumanin për dëshminë e dhënë.

“Kam 3 vjet në burg pa parë mbesat e mia. E nderuar gjykatë, më mirë 10 Nuredin Dumani në Dubai, se një i pafajshëm në burg!”, u shpreh ai mes të tjerash.

Dumani ka rrëfyer njohjet me vëllezërit Qoli dhe porositë për krime që ka marrë prej tyre, por edhe si ndërmjetës për grupe të tjera.

Dëshmia e Dumanit tre vite më parë zbërtheu të paktën 8 organizata kriminale në dosjen “Plumbi i Artë”, me të paktën 32 të akuzuar, pjesa më e madhe të arrestuar dhe disa prej krerëve të grupeve ende në arrati, të fshehur në Dubai apo pa gjurmë.

Ora 11:54
Erion Alibej dëshmon në GJKKO, ‘Krymi’: Nuredin Dumani kërkoi takim më 2020 se dëgjoi që ofroja 100 mijë euro për vrasjen e Talo Çelës

Nuredin Dumani dhe Erion Alibej

Erion Alibej, i njohur me nofkën “Krymi”, ka dëshmuar sot për herë të parë si bashkëpunëtor i SPAK-ut, në GJKKO.

Ai foli për të kaluarën e tij penale, aktivitetin shkollimin dhe njohjen me Nuredin Dumanin, i penduari tjetër i drejtësisë që ka zbërthyer në dosjen “Plumbi i arë” aktivitetin e organizatave kriminale. Dumani akuzohet edhe si kreu i një skuadre killerash që kryente atentate me pagesë për Alibejn dhe grupe të tjera.

Alibej rrefeu njohjen në vitin 2020 me Dumanin, ku shkak u bë lajmi që ai kishte dëgjuar se ofronte 100 mijë euro për vrasjen e Talo Çelës.

“Betohem që do them të vërtetën, jam me arsim të lartë, kam qenë i dënuar në Itali, ndërsa në Shqipëri me dëshmi penaliteti rezultoj i pastër”, e nisi ai dëshminë.

Dhe më tej vijoi:

“Më 29 dhjetor të 2018-ës, në një atentat që ne si familje e quajmë kamikaz….(ndërpritet nga avokatët e të pandehurve të tjerë)...

Me Nuredin Dumanin jam njohur pasi u lirova nga paraburgimi i Elbasanit, nga fillimi i 2020-ës, Arjan Spahiu kishte kontakt me anë të një “fati”, kam qenë përdorues i enkrochat dhe sky ecc, Arjani me tha që Nuredin Dumani kishte kërkuar vetë me u taku me mua, sepse gjatë kësaj periudhe kisha hedhur si fjalë në rrugë apo në shoqëri që për Talo Çelën jepja 100 mijë euro me e vra dhe 200 mijë kush ma sillte të gjallë. Nuredin Dumanit i kishte shkuar në vesh kjo gjë”, u shpreh ai.

Dhe më tej shpjegoi kërkimet që bëri për Dumanin para se ta takonte:

“Për Nuredinin bëra kërkime, kisha çdo informacion, erdhi tek pallati në një shpi me qira që kisha marrë për djemtë e dajës tim, për 2 orë e 48 minuta, e regjistrova bisedën me Nuredin Dumanin, më shpjegoi se kishte dëgjuar që kërkoja Talo Çelën dhe më thotë që është në dijeni dhe Festim Qoli. I thashë OK. Nisa bisedën duke i shpjeguar kush janë ekzekutorët e familjarëve të mi”, u shpreh Alibej.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 30/05/2025 04:02

    Shume gabim qe prokurori nuk morri emrin e policit sepse nuk kishte lidhje me kete dosje.Mund te kishte lidhje nese personat per te cilet jepte info.e pesonin prej Alibejt dhe gjithashtu duhej si deshmi faktimi e ballafaqimi kur ketij polici t'i vinte rradha te shpjegohej per lidhje me boten e krimit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?