Edhe pse në lajme është transmetuar sikur ish prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka marrë azil politik në Itali në SPAK konfirmojnë se nuk e kanë një informacion të tillë dhe se për ta procesi i ekstradimit është në vijimësi. Altin Dumani, kreu i SPAK, tha sot se procesi vijon në Itali për ekstradimin e ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla, ndërsa shtoi se ka besim se ai do të kthehet në vendin tonë për vuajtjen e dënimit.
“Adriatik Llalla ka përfituar nga Gjykata e Apelit në Romë marrjen e pasaportës me qëllim lëvizjen brenda territorit italian. Procesi vijon në Itali për ekstradimin e ish-kryeprokurorit të Shqipërisë Adriatik Llalla”, tha Dumani në komunikimin sot me gazetarët.
Avokati i ish-kreut të Prokurorisë, Adriatik Llalla deklaroi pak kohë më parë se klienti i tij kishte fituar të drejtën e azilit politik në Itali, por sipas SPAK, në Itali vazhdojnë procedurat e ekstradimit dhe vendimi i Gjykatës së Apelit të Romës ishte për revokimin e masës së sigurisë. Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla u dënua me dy vjet burg për fshehje pasurie në shtator të vitit 2021, por vendimi nuk u ekzekutua asnjëherë pasi Llalla u largua nga vendi drejt Italisë.
Llalla u dënua me dy vjet burg nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në pranverë të vitit 2021 dhe vendimi mori formë të prerë më 22 shtator të atij viti. Llallës iu konfiskuan edhe pasuritë e dyshuara si të fshehura.
Lajmi kryesor:
Hetimi për Ahmetajn, kreu i SPAK: Janë gjetur prova në vilat e kontrolluara! Nisëm disa letërporosi në disa shtete, mund të ketë fshehur pasurinë jashtë
K.T./ReportTv.al