Në mediat globale cilësohet si “Perla e Mesdheut”, por imazhi turistik i Shqipërisë rrezikohet nga problemet e vjetra, nga uji i pijshëm e deri tek pluhuri i ndërtimeve që vetëm shtohen nga jugu në veri.
Dhoma Amerikane e Tregtisë në një reagim të bërë për turizmin, thekson se ky sektor me kontribut të lartë në ekonominë e vendit por edhe në bizneset familjare po rrezikohet nga mungesa e ujit në disa zona të vendit, ndotja prej mbetjeve apo ndërtimet në mes të sezonit.
“Anëtarët tanë, pjesë e këtij sektori, flasin për zona bregdetare ku vazhdojnë të mbeten shqetësuese mungesa e ujit të pijshëm, keqmenaxhimi i ujërave të zeza, djegia e mbetjeve në landfille apo vazhdimi i aktiviteteve të ndërtimit edhe gjatë sezonit turistik, duke ndikuar në këtë mënyrë funksionimin e strukturave akomoduese, por edhe cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe turistëve në këto komunitete”, thuhet në njoftim.
Këtyre ‘halleve’ që ende nuk kanë gjetur zgjidhje pasi zjarret në landfille mbetjesh po bëhen të zakonshme, rasti më i përsëritur ai i Vlorës apo Elbasanit, tanimë i është shtuar edhe mungesa e punonjësve.
“Mungesa e një stafi të trajnuar ka vënë në vështirësi shumë biznese turistike, duke rrezikuar njëkohësisht edhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë si një destinacion turistik krahas vendeve të tjera të rajonit”, thotë dhoma amerikane.
Bizneset amerikane kërkojnë nga qeveria, pushteti lokal dhe institucionet vendase të marrin masa për të adresuar këto problematika që po kthehen në problem për këtë sektor prioritar të ekonomisë. Në mes të sezonit vendi është përfshirë edhe nga vala e aksioneve për lirimin e hapësirave publike, duke hequr shezlongje e prishur ndërtime e kabina pa leje.
Deklarata e plotë:
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri e ka ndjekur në mënyrë të vazhdueshme dhe me interes të veçantë dinamikën e zhvillimit të turizmit shqiptar gjatë viteve të fundit. Ne gjejmë me vend të shprehim vlerësimet për impaktin pozitiv të aktivitetit turistik në ekonominë shqiptare, rritjen e investimeve private në strukturat e reja akomoduese, si dhe tendencën në rritje të fluksit të turistëve të huaj.
Ndërkohë, në mbështetje të këtij sektori, ne dëshirojmë të sjellim në vëmendje disa prej sfidave me të cilat po përballen anëtarët tanë në këtë fillim sezoni. Adresimi i tyre në kohë, do të ndihmojë për të ruajtur suksesin e deritanishëm të promovimit të Shqipërisë si një destinacion gjithnjë e më tërheqës në rajonin e Mesdheut.
Informacionet e përcjella nga anëtarët tanë, pjesë e këtij sektori, flasin për zona bregdetare ku vazhdojnë të mbeten shqetësuese mungesa e ujit të pijshëm, keqmenaxhimi i ujërave të zeza, djegia e mbetjeve në landfille apo vazhdimi i aktiviteteve të ndërtimit edhe gjatë sezonit turistik, duke ndikuar në këtë mënyrë funksionimin e strukturave akomoduese, por edhe cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe turistëve në këto komunitete.
Gjithashtu, ne gjejmë me vend të adresojmë çështjen e shumëdiskutuar të mungesës së fuqisë punëtore dhe nevojën për një zgjidhje afatgjatë që fokusohet në zhvillimin, kualifikimin dhe motivimin e fuqisë punëtore brenda këtij sektori. Mungesa e një stafi të trajnuar ka vënë në vështirësi shumë biznese turistike, duke rrezikuar njëkohësisht edhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë si një destinacion turistik krahas vendeve të tjera të rajonit.
Me dëshirën e mirë për të kontribuar në zhvillimin e një sektori prioritar për vendin, ne kërkojmë vëmendjen e Qeverisë, pushtetit lokal dhe institucioneve përkatëse për t’i adresuar këto problematika, duke ndihmuar kështu jo vetëm bizneset, por edhe fuqizimin e këtij momentumi pozitiv për imazhin e Shqipërisë si një destinacion turistik në rritje.
Komente

Ju dhoma amerikane , ne vend qe te denoni zjarvenien e qellimshme , ndertimet pa leje na tregoni per ujin e pishem , plerat etj .Terhiqini veshin aspakut qe ju e ngritet duke perkrahur keqberesit ., Jemi shtet Parlamentar jo shtet prokuroresh .Ku marin vesh prokuroret nga ndertimi i nje shteti ligjor se kete e tregon puna e tyre .
Përgjigju