Dimal- Ndezi zjarr në fshatin ku banonte dhe si pasojë u dogj një sipërfaqe toke e mbjellë me 600 rrënjë ulliri, arrestohet 24-vjeçari i dyshuar.
Efektivët e Stacionit të Policisë Dimal, qarku Berat, njoftuan se identifikuan dhe ndaluan sot (16 Gusht), Roland Hoxhën, banues në fshatin Krotinë.
24-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur disa mbeturina në fshatin ku jetonte, por aksidentalisht dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, ka shkaktuar dëmin e konsiderueshëm në plantacionet me ullinj të mbjella nga banorët e tjerë.
Gjatë ndalimit i dyshuari Hoxha mohoi që të ishte zjarrvënie e qëllimshme, teksa hetimet janë ende aktive dhe po i ndjek prokuroria vendore.
Qarku i Beratit prej ditësh po vuan një situatë kritike zjarresh në territorin e tij, kryesisht në tokat e mbjella me pemëtari të Bashkisë Dimal dhe në Parkun Kombëtar të Tomorit, në Skrapar, me mbi 20 hektarë të dëmtuara.
Policia e Beratit apeloi ndaj qytetarëve dhe fermerëve të zonave të qarkut që “në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin” dhe që “të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi”.