Mijëra hektarë pyje e kullota u dogjën këtë verë. Jo pak, 57 mijë, që për vendin tonë të vogël, janë një pafundësi. Është një shifër e dhënë nga Sistemi Europian i Informacionit për Zjarret dhe Pyjet. Por kjo që pamë këtë verë nuk nisi këtë verë, vetëm me çmendurinë e ndonjë piromani. Sa më shumë pemë presim, aq më nxehtë bëhet e aq më shumë zjarre krijohen. Sa më shumë pemë zhduken, aq më shumë shira të rrëmbyeshëm e rrëshkitje dheu të pakontrolluar do të kemi.
Në Raportin vjetor të vitit 2024 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, publikuar sot te Shqiptarja.com, e gjitha kjo parashikohej. Madje shtrohet shqetësimi për zhdukjen përgjithmonë të disa drurëve tipikë, që në shekuj kanë bujtur në atdheun tonë, si për shembull bredhi europian, pisha skoceze, gështenja e kalit, lajthia e egër etj. nëse nuk kujdesemi, nuk i kemi më.
Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë sot si në vitet e egra ’90, kur pyjet u masakruan, kafshët u vranë. Mentaliteti dhe ndjeshmëria për natyrën, të cilën po kemi mundësi ta prekim përherë e më nga afër, ka ndryshuar, është përmirësuar. Eshtë e pafalshme për brezin tonë të qëndrojmë indiferentë në këtë kohë e të rrezikojmë e cënojmë bashkëudhëtaren më të denjë: gjelbërimin, natyrën.
Shqipëria duhet të bëhet kampione e rigjenerimit të natyrës së saj. Ua kemi borxh Rilindasve që i thurën vargjet më të bukura të shkruara ndonjëherë. Nga Vermoshi në Konispol duhet të infektohemi nga bukuria prekëse që na rrethon dhe humbjen e djegien e një peme ta konsiderojmë si të humbim pjesë të dashura të jetës sonë.
Komente
