FIER- Me lot në sy kolegët e repartit Shqiponja në Fier përcjellin sot Novruz Cenalia për në banesën e fundit. Ende nuk e besojnë çfarë ka ndodhur.
Edhe mesditën e 13 majit po e prisnin të merrin turnin por morën lajmin se shoku I tyre ishte ekzekutuar me plumb në kokë në fshatin Baltëz.
“Po e prisnim që të vinte në punë. Ishte shërbimi i radhës që do të merrnim turnin e pasdites. Ishte lajmi më i rëndë dhe më I pabesueshëm që mund të merrnin” thotë Kristi me lot në sy teksa flet për gazetarin Shqiptarja.com dhe Report Tv, Sokol Dema.
Humbja për ta është e madhe
“Ishte shumë bashkëpunues. Nuk gjej fjalë. Do ta kujtojmë dhe ai do të jetë mes nesh për të vijuar misionin që kemi’ thotë Kristi.
Një shok i tij kujton se Novruz Cenalia ishte tepër motivues.
“Djalë shembullor, familjar e motivues. Kjo është një dhimbje e madhe” thotë një tjetër koleg për gazetarin e Report Tv dhe Shqiptarja.com Sokol Dema.
Homazhet po mbahen në teatrin Bylis të Fierit. 28-vjeçari Novruz Cenalia u vra me një plumb në kokë më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz të Fierit. Ai ishte nisur për të shkuar në punë, por u përfshi në një debat me Azgan Mërnicën, 23 vjeç, për radhën e kalimit me makinë. Autori mbetet ende në kërkim.