Thesaret më me vlerë nuk janë vetëm ato në monedha ari dhe gurë të çmuar, por edhe me vlera historike.
Rinocerontët e fundit me gëzof që endeshin në planetin tonë gjatë Epokës së Akullnajave (mbi 10 mijë vite më parë), ishin pre e njerëzve që ushqeheshin me ta dhe i pikturonin nëpër shpella.
Zanafilla e tyre është aq e largët, sa ende dimë shumë pak për atë kohë, por një grup “gjuetarësh” ari kanë gjetur një rinoceront që duket se është ende në gjendje të mirë (mumifikuar nga akullnajat).
Rinoceronti i gjetur në stepat akullnajore të Rusisë
Zbulimi ndodhi në Kolyma, një rajon i largët lindor i Rusisë, që është ende i mbuluar nga ngrica e përhershme. Në foton e postuar nga minatorët, dallohen brirët ndërsa trupi ka qenë i mumifikuar nga temperaturat e ftohta dhe oksigjeni i pakët. Tani do të ekzaminohet nga shkencëtarët. Në këtë zonë janë gjetur fosile edhe më parë, pasi stepa mbizotërohej nga mamuthët, bizonët dhe luanët e shpellave.
Mbetet ende e diskutueshme se kur dhe pse saktësisht u zhdukën rinocerontët, të paktën 14.000 vite më parë, por deri më tani shkak mendohet të ketë qenë ndryshimi i klimës dhe gjuetia.
Minatorët e arit tregojnë dhe filmojnë 'thesarin' e tyre
Minatorët që gjetën rinocerontin thanë se ishin të habitur dhe të gëzuar që pasi pastruan grumbullin pa formë, zbuluan dhe kuptuan se çfarë ishte.
“Çfarëdo zbulimi nga pjesë të mumifikuara të përfaqësuesve të mamuthit janë një material unik për shumë studime, që do të na lejojnë të mësojmë më shumë për zhvillimin individual të kafshëve, dietën dhe kushtet e tyre të jetesës”, tha kërkuesi nga Akademia Ruse e Shkencave, Denis Petrov.
Rinoceronti i gjetur
Shkencëtarët shpresojnë se këto zbulime do të mundësojnë ripërtëritjen e megafaunës, duke përdorur ADN-në e marrë nga mbetjet e tyre biologjike apo fizike. Ata po bëjnë kërkime në ndryshimin e gjeneve, ndonëse diskutohet pjesa etike nëse planeti ynë ka një habitat që do t’i lejojë të mbijetojnë.