LEZHË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Shkopet të Kurbinit ku një grua e moshuar teksa po kalonte një urë me dërrasa të improvuar nga banorët ka humbur ekuilibrin duke rënë në lum dhe humbur jetën.
Ura pasarele, në afërsi të tunelit të Shkopetit, nuk kishte parmakë anësore dhe ishte ndërtuar nga vetë banorët, pasi ishte shembur vite më parë.
Duket që e moshuara, 86-vjeçarja Dave Gjeçi ka humbur ekuilibrin duke u rrëzuar.
"Mesditën e sotme, në ujërat e lumit Mat, është gjetur trupi i pajetë i shtetases D. Gj., 86 vjeçe, banuese në Shkopet, e cila dyshohet se ka rënë aksidentalisht në ujë, ndërkohë që po kalonte urën në fshatin Shkopet. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes" informoi sot policia e Lezhës.