Kapshticë- Një 36-vjeçar u arrestua sot në Pikën Kufitare të Kapshticës, pasi akuzohet për kontrabandë të medikamenteve, teksa po hynte nga Greqia dhe nuk dispononte licencë tregtie.
I ndaluari është i riu me inicialet E. S., banues në Pogradec dhe ishte pasagjer në autobusin e linjës.
Oficerët sekuestruan edhe 50 pako me medikamente si provë materiale, teksa aksioni u finalizua sot (26 Gusht). Në fillim efektivët e kufirit kaluan për kontroll në vijën e dytë një autobus pasagjerësh për kontroll të detajuar.
“Gjatë kontrollit, në pjesën frigoriferike të autobusit u gjetën 5 paketime me medikamente (në total 50 pako), të pashoqëruara me faturë blerjeje”, bëri me dije Policia e Korçës.
Dosja për rastin i ka kaluar prokurorisë vendore, për veprën penale “kontrabanda me mallra të licencuara”.