Bolonjë/ Po marshonte ekstremi i djathtë, antifashistët dalin në anti manifesim dhe përplasen ashpër me policinë (VIDEO)

9 Nëntor, 16:45| Përditesimi: 9 Nëntor, 16:51

  • Share

ITALI - Përplasje dhe tension në qendër të Bolonjës, siç ishte frika në shumë pjesë: po zhvillohet protesta e ekstremit të djathtë – Casapound dhe Rrjeti i Patriotëve – shumë pranë stacionit të Bolonjës, një javë para zgjedhjeve rajonale. Nga sheshi i Neptunit ka nisur kundër-protesta e kolektiveve antifashiste.

Pikërisht kolektivet (të paktën një mijë njerëz) kanë qenë protagonistë të përplasjeve me forcat e rendit në shkallët e Pincio-s, pasi kaluan me vrap parkun Montagnola duke u përpjekur të anashkalojnë bllokadën e agjentëve në rrugën Indipendenza, që kishte për qëllim të shmangte kontaktin midis dy protestave.

Ndërkohë, parada e ekstremit të djathtë, në të cilën marrin pjesë disa qindra njerëz, ishte ndaluar nga forcat e rendit në rrugën Boldrini.

E gjithë skena zhvillohet në një distancë prej disa qindra, në mos dhjetëra metrash në zemër të Bolonjës, ndërsa trafiku përreth është i bllokuar dhe autobusët devijohen. Nga dritaret e pallateve në qendër bërtitet “Rroftë Italia antifashiste,” madje hidhen edhe kapsolla mbi protestën e ekstremit të djathtë; të rinjtë e kolektiveve fitojnë terren dhe përpiqen të afrohen gjithnjë e më shumë. Disa kundërpërgjigjen duke kënduar “Faccetta Nera” ose duke thirrur “Boia chi molla” (Kush dorëzohet është tradhtar). “Nuk mund të ekzistojnë qytete peng të qendrave sociale, ku të valëvitet vetëm flamuri i kuq,” bërtet me megafon një militant i djathtë.

Ndërkohë, një grup protestuesish nga zona anarkiste, rreth 200 persona, nga sheshi Unità i afërt ka nisur protestën drejt urës Matteotti, që kalon mbi shinat e stacionit qendror, por ka gjetur bllokadën e krijuar nga repartet e policisë. Nuk ka pasur përplasje në këtë rast, pasi protestuesit kanë vendosur të tërhiqen.

E gjithë qendra e Bolonjës është e rrethuar nga policia, me dhjetëra automjete të vendosura në nyjën e sheshit XX Shtatori dhe të stacionit. Pas përplasjeve me policinë, shumica e protestuesve të kolektiveve janë zhvendosur në sheshin VIII Agosto, ku po zhvillohet tregu tradicional i Piazzola-s, ndërsa disa dhjetëra qytetarë antifashistë përballen nga larg grupin e protestuesve të së djathtës. Aktivistët raportojnë për dhjetëra të plagosur në radhët e tyre, katër prej tyre në gjendje serioze.

Protestuesit e kolektiveve, pas përplasjeve në shkallët e Pincio-s, janë kthyer në sheshin e Neptunit. Në të njëjtën kohë, po fillonte largimi i anëtarëve të Casapound dhe të Rrjetit të Patriotëve. Kontakti i pritur mes dy grupeve nuk ka ndodhur.

Kundër protestës së ekstremit të djathtë sot në Bolonjë ka dalë edhe kryetari i bashkisë, Matteo Lepore, i cili kishte kërkuar që protesta e Rrjetit të Patriotëve të zhvendosej. Kundër dhënies së një sheshi – jo një sheshi çfarëdo, por më të afërtit me stacionin qendror, vendi i masakrës fashiste të 2 gushtit 1980 – kishin protestuar në sheshin Neptun, në mëngjes, ANPI, sindikata CGIL dhe disa përfaqësues të qendrës së majtë, përfshirë Elly Schlein (PD) dhe Nicola Fratoianni (SI)./ La Repubblica

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?