Opinion

‘Po na përzënë nga toka jonë, fali Zot se s’dinë ç’bëjnë’, fermerët e Myzeqesë dje na dhanë një leksion qytetarie

26 Nëntor 2021, 09:58| Përditesimi: 26 Nëntor 2021, 15:33

  • Share

Më ngjalli ndjesi të mirë protesta e djeshme e fermerëve para Parlamentit. Jemi mësuar që shumica e protestave të tilla të jenë për politikë a më troç për interesa partish politike. Fermerët e Myzeqesë dje kërkonin të drejtat e tyre.

Të bënte përshtypje se një pjesë e mirë e kërkesave kishin të bënin me mënyrën e pagesës së subvencioneve dhe mbrojtjen nga batakçillëqet e tregëtarëve. Atje ku prodhohet, ku shitet dhe eksportohet, ku lëviz malli e paraja,  gëlojnë dhe krimbat e korrupsionit. Puno o fatkeq e ha o barkdreq, thotë ai proverbi i lashtë dhe fatkeqsisht përherë aktual.

Dje para Parlamentit, fermerët, këta banorë zonash rurale u jepnin metropolitanëve një leksion qytetarie.

M’u kujtua një fermer i moshuar në Mallakastër vite të shkuara. Ikën rinia, thoshte. Lenë arat e tyre djerrë dhe venë e bëjnë argatin në ullishtat e grekut. Janë ftohur me tokën. Kur ftohet burri me gruan, prishet shtëpia. Kur ftohet njeriu me tokën, roit vendi e gjithë shoqëria. Po vazhdoi kështu, zi e me zi do bëhet.

Pastaj më erdhi në mend qarja e përjetshme: vend i vogël, male e bokërrima me thes e tokë arë me trastë. Sot këtë trastën që na lanë të parët, po e zvogëlojmë edhe më e rrezik ta bëjmë qese.

Janë bërë ndryshime esenciale në pronësinë mbi tokën gjatë tranzicionit. Po nuk kujtoj të jenë prirë nga ndonjë diskutim a debat serioz e mbarëpopullor. Gjithçka shpejt e shpejt e mendjelehtësisht.

Kanë kaluar me dhjetra ligje për bujqësinë në parlament. Por nuk mbaj mend një seancë plenare që të jetë diskutuar gjatë e gjerë.

Shumicën e herëve deputetët e kanë harxhuar kohën duke u sharë me libër shtëpie dhe pastaj, në fund, kanë votuar ligjin,  shpejt e shpejt e shkel e shko. Dhe si rregull kapakun e venë mediat, plot lajme e tituj për sharjet e batutat dhe thuajse heshtje për ligjin dhe pasojat.

Vras mendjen të kujtoj ndonjë analizë të thelluar ekspertësh a ndonjë debat televiziv për politikat bujqësore. Dhe ka shumë për të diskutuar. Nga fragmentarizimi ekstrem i tokës, si pasojë e privatizimit të nxituar, e deri tek mungesa e infrastrukturës bashkëkohore për thithjen dhe hedhjen në treg të prodhimit bujqësor.

Po kush të diskutojë e të kërkojë zgjidhje? Studiot televizive shohin rehatin e kollajllëkun e tyre dhe njerëzit e punës e të prodhimit as i pyet e as i dëgjon kush. Është kohë e gjithologëve.

Gjithsesi kapso debatet e gjasme analizat s’na mungojnë. Muajt e fundit psh në emisionet prime time është diskutuar e diskutohet thuajse vetëm halli i PD-së. Po të mos e njihje vendin dhe njerëzit, por të niseshe vetëm nga emisione të tilla, do thoshje se gjithë njerezia është ndarë në dy grupe, dumbabistë e dumbashistë dhe janë gati t’i hanë të bardhën e syrit njeri tjetrit, jo për hallet që kanë dhe s’i kanë të pakta.

Tifozllëk në të thatë, si ai mulliri që bluan pa drithë ndaj gërryen mokrën e vet. Dhe toka arë, lumenjtë e pyjet sa vijnë e pakësohen. ‘Po na përzënë nga toka jonë, fali zot se s’dinë ç’bëjnë’ ironizonet një slogan i protestës së djeshme. Dhe të kujtohej i lashti që tha:  Perëndia në fillim të merr mendjen, pastaj mallin e gjënë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?