Policia e Tropojës ka goditur disa raste të ndërtimeve pa leje, duke finalizuar me arrestime dhe me hetime në gjendje të lirë.
Kështu, në fshatin Llugaj të Tropojës, policia arrestoi qytetarin me iniciale R.Gj. Ky i fundit po ndërtonte 8 objekte pa leje në fshatin Llugaj.
“Strukturat e DVP Kukës, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në terren, për ndërtimet pa leje, kanë evidentuar dhe goditur 4 raste të kësaj paligjshmërie. Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë: arrestuan shtetasin R. Gj., banues në fshatin Llugaj, pasi po ndërtonte 8 objekte, pa leje nga organet kompetente”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në pamje duken edhe objektet në fjalë, që janë në fazë ndërtimi.
Tetë ndërtesat janë brenda një perimetri të rrethuar, që tashmë do të shemben nga autoritetet kompetente.
Goditja e këtij fenomeni është në vazhdën e aksionit në të gjithë vendin për të vendosur rregull në territor dhe për të liruar hapësirat publike.
Ndërkohë, po në Tropojë, në një tjetër rast, kësaj radhe në zonën e mbrojtur të Bjeshkëve të Sylbicës, u konstatuan objekte të ndërtuara. Në lidhje me këtë rast, janë vënë nën hetim në gjendje të lirë dy persona; A.Zh. dhe B.C.
Gjithashtu, për një tjetër ndërtim pa leje në Bjeshkët e Sylbicës, është shpallur në kërkim një person me iniciale M.N.
Komente
