Forumi Euro-Mesdhetar që po mbahet në Tiranë dhe që ka në qendër të tij dialogun ndërkulturor dhe formësimin e rrugëve të reja për të ardhmen e rajonit, nuk la jashtë vëmendjes atë çfarë po ndodh mes Izraelit dhe Palestinës.
“Ne do të flasim për Evropën dhe Mesdheun. Ne jemi të gjithë njerëz dhe kemi të gjithë dinjitet njerëzor që duhet respektuar. Edhe nëse nuk biem dakord duhet të respektojmë njëri-tjetrin, pa luftë, pa agresion. Ne kemi lëshuar një peticion lidhur me konfliktin midis Izraelit dhe vendeve fqinje dhe kemi kërkuar vëmendje për të gjithë viktimat në rajon. Ne duhet të adresojmë gjithë këtë çfarë po ndodh dhe nuk mund të lejojmë dhunën.”, tha Cornelis Hulsman, kryetar i fondacionit “Anna Lindh” në Holandë
Gjatë tri ditëve të forumit do të ketë sesione paralele si dhe performanca artistike, ndërkohë që situata në Lindjen e Mesme është “pika e nxehtë” e diskutimeve.
“Duhet të themi diçka në lidhje me dhunën në Lindjen e Mesme dhe si ta ndalojmë. Është shumë e rëndësishme që jemi këtu të diskutojmë, të dëgjojmë dhe të miqësohemi. Në këtë forum do të ketë diskutime dhe sesione të rëndësishme veçanërisht konflikti midis Izraelit dhe Palestinës. Rajoni i Mesdheut Lindor është një pikë e nxehtë aktualisht dhe duhet t’i themi ndal luftës dhe konflikteve mes vendeve”, u shpreh Tarek M. Muhammad, historian.
Por pse është zgjedhur Shqipëria për të pritur këtë forum?
“Shqipëria është zgjedhur sepse Shqipëria ka pasur një pozicion neutral sa i përket konfliktit izraelito- palestinez. Ky është i pari forum i këtij lloji që po mbahet në tetë vjet dhe shpresa e organizatorëve ishte që në kohën kur ky forum të mbahej në Shqipëri, lufta midis Izraelit dhe Gazës të kishte përfunduar.”- thotë Cornelis Hulsman, Drejtor i “Arab West Foundation The Netherlands”, Kryetar i rrjetit “Anna Lindh Foundation” në Holandë
Gjatë tre ditëve do të vijnë propozime nga rrjete të ndryshme, etnitete, organizata në lidhje me atë se si mund të ngrihen ura bashkëpunimi mes vendeve, ndërsa në përfundim, krerët e rrjeteve nga të gjithë vendet pjesëmarrëse do të takohen për të vendosur se çfarë hapash do të ndërmerren në vijim.
Një vend i posaçëm në forum i është kushtuar edhe zërit të të rinjve dhe grave, në mënyrën se si ata qasen me ekstremizmin dhe se si mund të motivohen në lidhje me dialogun. Ky forum ndërkombëtar shënon edhe shpalljen zyrtare të Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025, një titull prestigjioz i dhënë nga Fondacioni Anna Lindh dhe Bashkimi për Mesdheun.
Forumi i këtij viti ka një rëndësi të madhe, ndërsa festohen dy momente historike: 20 vjet të angazhimit të Fondacionit Anna Lindh për të nxitur dialogun në të gjithë rajonin Euro-Mesdhetar dhe 30 vjet që nga Partneriteti Euro-Mesdhetar/Procesi i Barcelonës, një iniciativë që riformësoi marrëdhëniet midis dy brigjeve dhe hodhi themelet për një vizion paqeje, stabiliteti, prosperiteti të përbashkët dhe dialogu midis kulturave dhe qytetërimeve.
Komente

Izraeli ka humb çdo te drejte te ket nje shtet dhe duhet te shperbehet sa me shpejt. Ajo zone ka qene ne pergjithsi paqesore para 1948 kur fendet qe kan masakru çifutat vendosen ti japin nje shtet jo ne token e tyre por ne token e tjerve, te vetmit qe nuk I kane debuar
Përgjigju