Bota

Po përpiqeshin të merrnin ushqim, 20 viktima në një pikë shpërndarjeje ndihmash në Gaza

16 Korrik, 10:52| Përditesimi: 16 Korrik, 16:13

  • Share

Të paktën 61 palestinezë janë vrarë sot në Rripin e Gazës. Sipas burimeve spitalore, 41 persona, mes të cilëve 11 fëmijë, janë vrarë nga sulmet izraelite.

Ndërkohë, 20 të tjerë janë vrarë pranë një qendre shpërndarjeje të drejtuar nga Gaza Humanitarian Foundation (GHF) në Khan Younis: sipas GHF-së, 19 persona humbën jetën për shkak të përplasjes dhe rrëmujës së krijuar gjatë radhës, ndërsa një tjetër u ther për vdekje me thikë.

GHF pretendon se ishte Hamasi që nxitësisht përhapi panik dhe dezinformim, gjë që çoi në kaosin e mëvonshëm, por nuk ka dhënë prova për këto pretendime.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë në Gaza dhe disa dëshmitarë thonë se punonjësit e GHF-së kanë përdorur gaz lotsjellës ndaj turmës, duke shkaktuar panik dhe një ikje të menjëhershme e të rrezikshme. Ministria theksoi se kjo është hera e parë që njerëz humbin jetën për shkak të shtypjes nga turma në vendet e shpërndarjes së ndihmave.

Që kur GHF filloi operacionet në fund të majit, ka pasur pothuajse çdo ditë raportime për palestinezë të vrarë ndërsa kërkojnë ndihmë. Dëshmitarët thonë se shumica janë qëlluar nga forcat izraelite.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tha të martën se deri më tani kishte regjistruar 674 vrasje në afërsi të katër vendeve të GHF-së në Gazën jugore dhe qendrore gjatë gjashtë javëve të fundit. 201 vrasje të tjera u regjistruan përgjatë rrugëve të konvojeve të OKB-së dhe konvojeve të tjera të ndihmës.

GHF përdor kontraktorë privatë sigurie për të shpërndarë ndihma nga vendet në zonat ushtarake izraelite. OKB-ja refuzon të bashkëpunojë me të, duke e përshkruar krijimin e saj si joetik.

Xh.D/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, cili mendoni se ka të drejtë?