“Po, por…”, “Jo, ndoshta…”. Kështu kishin parashikuar komentatorë rusë që do të ishte reagimi i Vladimir Putinit ndaj propozimit për një armëpushim 30-ditor, të dakordësuar në Jeddah mes SHBA-së dhe Ukrainës. Dhe pikërisht kështu ndodhi. Presidenti rus nuk dëshiron ta rrezikojë dialogun e sapoçelur me Donald Trump – nuk do ta flakë atë bashkë me “ujin e ndotur”. Prandaj nuk përgjigjet me një refuzim të prerë, por e zbut përgjigjen duke u shprehur se në parim mbështet “idenë” e një armëpushimi – sepse fjalët janë po aq të rëndësishme sa edhe heshtjet – por e kushtëzon këtë mbështetje me një sërë “çështjesh të rëndësishme”, siç i quan ai “nuanca”.
“Ideja në vetvete është e drejtë dhe ne sigurisht që e mbështesim. Por ka çështje për të cilat duhet të diskutojmë. Duhet të flasim me kolegët tanë amerikanë, ndoshta edhe të flas me presidentin Trump për këtë”, tha Putin. Një mënyrë diplomatike për të zvarritur, pa refuzuar, por as pa pranuar realisht.
Ky “Po, por…” vjen pas një dite e gjysmë heshtjeje nga Kremlini dhe paraqitjesh të kuruara me kujdes, të ndërthurura me deklarata po aq të llogaritura nga zyrtarët e tij. Të martën, kur sekretari i Shtetit, Marc Rubio, tha se “tani topi është në fushën e Rusisë”, Putin nuk dha asnjë reagim. Të mërkurën, kur Shtëpia e Bardhë njoftoi se i dërguari i posaçëm Steve Witkoff do të udhëtonte në Moskë, presidenti rus doli me uniformë ushtarake për të vizituar një postë komande në rajonin jugor të Kurskut, ku trupat ruse po përgatiten të largojnë forcat ukrainase. “Një sinjal vendosmërie për të përfunduar operacionin së shpejti”, komentoi zëdhënësi Dmitry Peskov kur u pyet nëse uniforma ishte një përgjigje joverbale ndaj ofertës amerikane.
Në vend të Putinit, foli fillimisht këshilltari për politikën e jashtme, Jurij Ushakov, i cili tha se “masat që simulojnë një zgjidhje paqësore në Ukrainë nuk i duhen askujt” dhe se propozimi “nuk është gjë tjetër veçse një pushim i përkohshëm për ushtrinë ukrainase”. Më pas e zbuti pak tonin: “Dokumenti, më duket, është i nxituar. Duhet të punohet më shumë dhe të merret parasysh edhe qëndrimi ynë. Aty paraqitet vetëm qasja ukrainase”.
Putin foli vetë vetëm në mbrëmje, gjatë një konference të përbashkët me presidentin bjellorus, Aleksandër Lukashenko, pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve për forcimin e Shtetit të Bashkuar dhe “hapësirës së përbashkët të mbrojtjes” midis Moskës dhe Minskut. Edhe konteksti ka rëndësi: në vizionin e Putinit, Ukraina duhet të shndërrohet në një shtet vasal si Bjellorusia – e ekspozuar enkas si shembull.
I kujdesshëm pas përplasjes në Zyrën Ovale, kur Trump dhe zv.presidenti JD Vance kritikuan Volodymyr Zelenskyn për mungesën e mirënjohjes, Putin e nisi fjalën e tij me “falënderime” për Trump, “për vëmendjen e madhe që i ka kushtuar zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë”. Megjithatë, nuk la pa përmendur edhe iniciativat e Kinës, Indisë, Brazilit dhe Afrikës së Jugut. Për armëpushimin tha: “Jemi dakord me propozimet për ndalimin e luftimeve, por nisemi nga parimi që ndalja duhet të sjellë një paqe të qëndrueshme dhe të eliminojë shkaqet fillestare të krizës”.
Në thelb, Putin nënkupton se një pushim do t’i vinte në ndihmë Ukrainës, që në Kursk, sipas tij, ka vetëm dy alternativa: “të dorëzohet ose të vdesë”.
“Edhe ne jemi pro, por me disa nuanca”. Dhe vetëm nëse Ukraina nuk bën mobilizime të reja, nuk stërvit trupa të rekrutuara dhe nuk merr më armë nga Perëndimi. “Si do të garantohet që këto nuk do të ndodhin? Si do të organizohet kontrolli dhe verifikimi i armëpushimit në një vijë fronti 2 mijë kilometra të gjatë?”, pyeti Putin. “Janë të gjitha çështje që kërkojnë diskutim serioz nga të dy palët”. “Po, por…”. Një taktikë për të ruajtur ekuilibrin.
Putin përfitoi edhe nga pyetjet e gazetarëve për të përsëritur se sanksionet kanë shërbyer si “një vaksinë për pavarësinë dhe sovranitetin” e Rusisë. Dhe për të lëshuar një mesazh në adresë të Trump: “Nëse SHBA dhe Rusia bien dakord të bashkëpunojnë në fushën energjetike, mund të ndërtohet një gazsjellës drejt Evropës, që do të sillte gaz rus me çmim të lirë për kontinentin”.
Qëllimi i Putinit është i qartë: të shmangë një “jo” të prerë që mund të prishë kontaktet me Uashingtonin, por pa e pranuar marrëveshjen e Jeddah. Për të, çdo armëpushim duhet të shoqërohet me një marrëveshje që i plotëson kërkesat e tij: njohjen e territoreve të aneksuara, një Ukrainë të çarmatosur, joneutrale dhe jashtë NATO-s, dhe heqjen e sanksioneve. Me pak fjalë, që Ukraina të bëhet një tjetër Bjellorusi. Të gjitha këto kushte Putin synon t’i shtrojë në bisedimet që do të zhvillohen pas mbërritjes së Witkoff në Moskë. Kur? “Witkoff do të thirret në Kremlin kur Putin të japë sinjalin”, tha Ushakov. Putin ka topin në dorë – dhe synon ta mbajë sa më gjatë që të mundet./La Repubblica
Komente
