Dy persona të moshës 22 vjeç dhe një 17-vjeçar janë arrestuar nga policia pasi po tentonin të shisnin kanabis.
Tre të rinjtë u arrestuan në zonën e Kamzës ndërsa me vete iu gjet dhe iu sekuestrua 700 gramë kanabis si 3 aparate celular. Gjithashtu nga kontrolli në banesën e 17-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua një tjetër sasi lënde narkotike kanabis.
“Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Collaboration”.
U kapën në flagrancë me një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, që e posedonin me qëllim shitjen në zonën e Kamzës, vihen në pranga 3 shtetas.
Sekuestrohen rreth 700 gram lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe 3 aparate celular.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se tre shtetas posedonin një sasi lënde narkotike që do ta shisnin në zonën e Kamzës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Collaboration”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: S. C., 22 vjeç, R. Gj., 22 vjeç dhe një shtetas i mitur, 17 vjeç.
Shërbimet e Policisë lokalizuan tre shtetasit në rrugën “Azem Galica”, Kamëz, të cilëve iu gjet një sasi lënde narkotike kanabis, që dyshohet se e posedonin me qëllim shitjen në këtë zonë. Nga hetimet ka rezultuar se lënda narkotike është siguruar nga shtetasi S. C.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 17-vjeçarit, u gjet dhe u sekuestrua një tjetër sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thotë policia.
Komente
