TIRANË- Të rinjtë janë pjesa më e "dobët" e kësaj shoqërie, të cilët fatkeqësisht një pjesë e tyre, për shkaqe të ndryshme, me apo pa dëshirë po kryejnë vepra penale. Në Tiranë është goditur një rasti shitjes së kokainës dhe protagonist i kësaj është një i ri vetëm 22-vjeç. Ai sapo ka pikasur uniformat "Shqiponja" në rrugën " Besim Imami" ia ka mbathur vrapit, por arratia e tij ka zgjatur shumë pak pasi është arritur që të prangoset.
Nga ana tjetër, po në kryeqytet janë arrestuar edhe 2 të tjerë, vetëm 17-vjeç, ku njëri shite kanabis në rrugën e Bogdanëve dhe tjetri ia siguronte dozat e drogës dhe ishte edhe organizator i kësaj veprimtarie kriminale. Dyshes i gjet edhe një sasi lëndë narkotike, e ndarë në doza, gati për shitje, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga shitja e lëndës narkotike, dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Krimi rinor, siç e kanë quajtur sociologët sa vjen dhe po shtohet, ku rasti më i fundit ishte ai i Aldi Ramës, një i ri me prindër të divorcuar që jetonte me gjyshen e tij, vrau nënkomisarin Saimir Hoxha në Lezhë, e më pas përfundoi duke vrarë veten. Report Tv e ka trajtuar këtë fenomen, ku në studion e "Sot Live në Shqipëri", sociologu i njohur Gëzim Tushe tha se familja shqiptare ka dalë nga binarët dhe se alarmante është rritja e krimit rinor, të rinj që nuk hezitojnë t'i futen kësaj 'bote' të errët. Sipas sociologut, prindërit kanë hequr dorë nga prindërimi, duke u bërë më egoistë, e duke i dhënë shoqërisë në këtë mënyrë individë që duket se po e shkatërrojnë atë.