Albin Kurti

Po sikur SHBA të ‘lodhet’ me Kosovën si me Afganistanin?!

31 Gusht, 19:12| Përditesimi: 31 Gusht, 19:14

  • Share

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë mërzitur me sjelljet e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Madje nuk po përpiqen ta fshehin fare, e shprehin hapur dhe tepër qartë idhnimin e tyre.

S’kalon asnjë ditë që të mos ketë një deklaratë të fortë të zyrtarëve të lartë të vendeve partnere kundër qëndrimeve aspak të konsultuara të Kurtit në raport me ndërkombëtarët. Sapo shuhet një ‘vatër’ konflikti e sajuar me shumë kujdes, menjëherë kryeministri aktual i Kosovës gjen një mundësi tjetër përplasjeje dhe tensionimi të situatës.

Njëherë e nis postat, pastaj ngrihet dhe kalon tek hapja eë Urës së Ibrit e aksioni ndaj strukturave serbe paralele në Veri të Kosovës, pavarësisht se aleatët e Kosovës, ata që e çliruan Kosovën kanë qënë kundër tensionimit të situatës, duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe duke kërkuar një konsultë të paktën me ta. Por Kurti vijon më pas me ngritjen e toneve e injektimin e psikozës së luftës tek qytetarët në Kosovë. Bën dhe sikur po përgatitet për të përballuar një luftë të rëndë dhe frontale, megjithëse vetë Kurti është ‘lloz’ fare në përdorimin e armës. Madje ishte dhe kundër luftës me Serbinë kur u ngrit UÇK. Deklaratat janë në dorë të parë, mjafton t’i kërkosh dhe i gjen kollaj. Ndërkohë që gjithë ky tension i ngritur nga Alkbini, për hir të së vërtetës nuk prek aspak Serbinë, pasi zhvillohet në ‘gjysëmfushën tonë’, pra në territorin e Kosovës.

Tani vërtetë bëhet fjalë për sovranitet të Kosovës, respektim të Kushtetutës së Kosovës, por ama duhen marrë për bazë dhe këshillat e aleatëve tanë të mëdhenj, SHBA, BE e Britania e Madhe! Të cilët për herë të parë u gjenden të bashkuar në anën e shqiptarëve, teksa njohën UÇK-në si forcë çliruese të vendit, dhe e mbështetën atë nga toka e ajri, duke bombarduar Serbinë dhe duke çliruar shqiptarët nga genocidi serb. Gjysma e të cilëve në atë kohë ishin deportuar në Shqipëri.

Fundja duhet bërë dhe një çikë llogari në favor të Kosovës dhe jo vetëm në favor të votave të Vetëvendosjes e marrtë e mira, sepse shqiptarët tanë përtej kufirit mbahen në këmbë si shtet me ndihmën e amerikanëve dhe evropianëve, në çdo segment të jetës. Sepse është absurde që 25 vite pas çlirimit të Kosovës, me investimin direkt të Albin Kurtit si kryeministër, situata në raport me Serbinë dhe përtej saj në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë, tashmë shihet e përmbysur.

Serbia mori mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit si një partner i besueshëm e serioz. DASH tha se vlerëson partneritetin e vazhdueshëm të Serbisë "në luftimin e agresionit të Rusisë në Evropë dhe në ndihmën humanitare për popullin ukrainas”. DASH nënvizoi se bashkëpunimi i Shteteve të Bashkuara me udhëheqësit serbë është i fokusuar në "forcimin e partneritetit strategjik mes dy shteteve tona, teksa Serbia ndërton të ardhme të sigurt dhe prosperuese në Evropë që është e paprekshme nga shantazhi politik dhe ekonomik i Rusisë".

Ndërkohë që ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti. SHBA dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” e “të pakoordinuara”. Ndërkaq dhe vetë DASH i ka kërkuar qeverisë ‘Kurt’i që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, BE dhe NATO-n, teksa SHBA po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

Dhe akoma më i rëndë ka qënë reagimi i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane e Euroaziatike, James O’Brien, i cili i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të ndalë, siç tha ai, “veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”. Ky reagim i zyrtarit të lartë amerikan vjen pasi më 30 gusht, institucionet e Kosovës njoftuan se kanë mbyllur pesë institucione paralele serbe në veri të vendit. Sipas Qeverisë së Kosovës, këto institucione kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë. Lidhur me këtë veprim ka reaguar ashpër Ambasada amerikane në Kosovë, duke thënë se veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të Kosovës pasqyrojnë përkeqësimin e partneritetit mes Uashingtonit e Prishtinës. Por dhe BE dhe vendet anëtare të BE kanë kritikuar Kurtin për këtë veprim.

Pra Kosova nën drejtim e Albin Kurtit është zhytur aty ku nuk e kishte imagjinuar askush, në raport me Serbinë përsa i kërket mbështetjes së ndërkombëtarëve, teksa situata ka ‘eskaluar’ aq shumë sa Kosova tashmë gjendet nën sanksionet e BE, kryeministri dhe ministrat e Kosovës janë thuajse ‘non grata’ në SHBA, BE e Britani, ndërsa marrëdhëniet me botën demokratike mbahen përmes presidentes Vjosa Osmani. Aq sa mund të përballojë dhe Vjosa, e cila merr pjesë në të gjitha takimet, samitet dhe diskutimet jashtë vendit, sikurse po ndodh dhe në samitin e liderëve evropianë për sigurinë në Pragë tani! Kurtin nuk e thërret njeri, s’ka nge askush ta dëgjojë.

Nuk ka ku shkon më rëndë për Kosovën, për të cilën tashmë kanë ngrirë thuajse të gjitha marrëveshjet me partnerët, madje dhe ndihmat financiare e thuajse nuk prodhohet asgjë në këtë vend, vetëm pse Albin Kurtit i është tekur të bëhet trim pas lufte, apo për të luajtur sovranistin për një grusht vota më shumë në zgjedhje për Vetëvendosjen. 

Dhe situata është tepër e rëndë, teksa pamë vizitën më të fundit të presidentit francez Macron në Bograd, shitja e avionëve modernë Vuçiçit dhe ripërtëritjes së miqësisë franko-serbe, e rrënuar me ndërhyrjen e NATO-s më 1999, ku Franca ishte tepër aktive për çlirimin e Kosovës, dhe qeveria franceze e mbështeti për vite e vite me radhë Kosovën, para dhe pas çlirimit, duke u distancuar nga miku traditcional Serbia.

“Faleminderit për këtë vizitë, Franca është mike e Serbisë e unë personalisht jam mik i Serbisë. Kemi bisedime në nivel strategjik në të gjithë sektorët, ekonomik dhe kulturor. Mendoj se kemi mundur të përmirësojmë marrëdhëniet mes Francës dhe Serbisë dhe dijeni se Franca është mik besnik i Serbisë”, tha Macron, gjatë vizitës në Beograd, krah Vuçiç. Deklarata këto që nuk kanë nevojë për komente e që u bënë në momentin kur Serbia finalizoi marrëveshjen për blerjen e 12 avionëve të sofistikuar luftarakë ‘Rafale’ me Francën. 

Por deklarata gati si të Macron ka bërë dhe kancelari gjerman Scholz ditë më parë teksa vizitoi Serbinë e u takua me Vuçiç. U rivitalizua një marrëveshje tepër e rëndësishme, e cilësuar nga Scholz jo vetëm për Gjermaninë por dhe për Evropën, për shfrytëzimin e minierave të litiumit në Serbi. Janë jetike këto marrëveshje për heqjen e varësisë nga Kina. Bashkimi Evropian është duke tentuar të zvogëlojë varësinë ndaj importeve të Kinës, ndërsa Gjermania është prodhuesja më e madhe e makinave elektrike në Evropë, të cilat funksionojnë me bateri të litiumit.

Pra Serbia po lëviz, duke ‘thithur’ mbështetjen e SHBA, Gjermanisë, Francës dhe vendeve të tjera të BE, përmes një politike të zhdërvjellët, duke shfrytëzuar dhe potencialin e saj, për të qënë në ‘radarin’ e fuqive të mëdha si vendi më i preferuar në Ballkan. Pra ka çfarë ofron dhe aleatët e mëdhenj janë të gatshëm ta mbështesin, por dhe ta tolerojnë rast pas rasti. Ndërsa Kosova deri më tani jo vetëm që nuk ka çfarë ofron se është copë copë për fatin tonë të keq, por nuk afron as bashkëpunim për aleatët, duke afruar të vetmin ‘produkt vendi’, kokëfortësinë e Albin Kurtit, mistrecllëqet e tij ballkanike, që ua kanë sjellë në majë të hundës SHBA, BE e Britanisë. Thjeshtë janë mërzitur dhe kjo është tragjike.

Pasi mërzitja e SHBA, BE e Britanisë së Madhe me Kosovën nuk paralajmëron asgjë të mirë për shqiptarët tanë të përtejkufirit. Për më tepër që na kujton mërzitjen e SHBA me Afganistanin dhe qeverisjen e tij. E cila mbahej me paratë e botës demokratike, por që ‘flirtonte’ fshehtasi e hapur me Talibanët apo me bosët fisnorë të heroinës në Afganistan, duke mos përfillur këshillat e SHBA dhe partnerëve ndërkombëtarë. Mospërfillje dhe rendje pas interesit personal që kishte shkaktuar humbje jetësh të ushtarëve amerikanë. Erdhi një moment kur SHBA tha ‘mjaft’. La të gjitha investimet, madje dhe baza të mëdha ushtarake me avionë e teknologji ushtarake të fjalës së fundit, dhe u tërhoq nga Afganistani. Të gjithë e dinë historinë që vijoi më pas e vijon dhe sot.

Larg qoftë, po sikur SHBA dhe aleatët të lodhen dhe me Albin Kurtin, dhe larg qoftë qytetarët e Kosovës të rikonfirmojë Kurtin kryeministër në zgjedhjet që zhvillohen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm, pra po sikur SHBA e aleatët të tërhiqen siç ndodhi në Afganistan, çfarë do bëhet me Kosovën? Do të jetë në gjendje shteti i Kosovës të mbahet në këmbë pa ndihmën e SHBA dhe aleatëve të tjerë, vetëm me deklaratat e Albinit dhe sovranistëve e luftëtarëve të rrjeteve sociale? 
Ka kush lufton nëse larg qoftë i mbushet mendja Serbisë të ‘hypë’ në Urën e Ibrit, pasi ata që luftojnë e bëjnë luftë për fat të keq janë në Hagë, dhe me ndihmën  e kësaj qeverie. Se vërtet Kosova ka luftuar më shumë ndër shqiptari, por ama vetëm një luftë ka fituar atë të vitit 1999, me ndihmën e SHBA dhe aleatëve të tjerë, por që tashmë është thuajse duke humbur në paqe, me kontributin direkt të Albin Kurtit.

Shpresojmë që SHBA të mos jetë mërzitur me Kosovën deri në atë shkallë sa të thotë ‘mjaft’, shpresojmë që të kalisë durimin me Kurtin, për hatër të shqiptarëve të Kosovës, për hatër të mbështetjes që ka dhënë deri më tani pa marrë asgjë në këmbim, përpos sulmeve, akuzave dhe konflikteve të Albin Kurtit. Shpresojmë që të paktën të durojnë deri në zgjedhjet e 9 shkurtit për të parë nëse shqiptarët e Kosovës do dinë të zgjedhin. Pasi çdo popull ka qeverisjen që meriton. Nëse shqiptarët e Kosovës do të meritojnë qeverisjen  e Albin Kurtit dhe pas armiqësimit me SHBA e aleatët, pas izolimit total të vendit, pas sanksioneve të BE ndaj Kosovës, atëherë ajo që mund të themi është që ‘ta gëzojnë Albinin. Zoti qoftë me Kosovën’.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Turi: 31/08/2024 21:39

    Politikanet e Kosoves duhet te krijojne maredhenie paqesore me serbet sepse koherat ndryshojne dhe nuk mund te jetosh me fqinjet ne gjendje lufte gjithmone prandaj mendoj se dialogu dhe bashkepunimi eshte ne interes te popujve dhe jo te kthehen mbrapa . Cdo gje duhet ta zgjidhin pa nderhyrjen a te huajve sepse ata gjithmone ndezin zjarre kudo qe shkojne per interesat e tyre

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?