Politikë

‘Policët po sillen si banditë’, Berisha ‘shfrenon’ fantazinë nga Brukseli: Ja çfarë i tha ambasadori i BE bashkëpunëtorit tim ditën e zgjedhjeve (VIDEO)

5 Qershor, 13:39| Përditesimi: 5 Qershor, 15:32

  • Share

Megjithë humbjen e thellë më 11 maj, Sali Berisha vazhdon përpjekjet e tij për të dokumentuar atë që ai e quan si farsë elektorale. Nga Brukseli, ku ndodhet për këtë “mision”, Berisha përsëriti sërish akuzat e rënda ndaj qeverisë, duke pretenduar për një “situatë të paprecedentë që ekziston sot në Shqipëri”.

Në një takim me kryesinë e PD në Bruksel, Berisha tha se Rama krijoi një makineri gjigante të blerjes së votës dhe të frikësimit të qytetarëve. Këto, pretendon Berisha, asgjësojnë garën elektorale.

“Kjo makineri ka ardhur gjithnjë duke u bërë më e fuqishme, më e madhe. Kjo makineri gjigante është shteti i blerjes së votës. Në ç’mënyrë? Në këtë fushatë, ai u dha të gjithë pensionistëve 100 euro dhuratë. E ndaluar me ligj. Ju them këtu, kur ne kishim zgjedhjet, nuk i rrisnim rrogat gjersa mbaronin zgjedhjet. Rroga që ishte një detyrim i përvitshëm ai”, tha Berisha.

Berisha shkon më tej teksa thotë se kjo makineri përbëhet nga vrasës serialë dhe kartele droge. Pretendoi gjithashtu edhe për një episod diskutimi mes një personi të tij dhe të ambasadorit të BE në ditën e zgjedhjeve. Sipas tij, ambasadori i ka thënë personit në fjalë se “policët po sillen si banditë”.

“Kjo makineri përbëhet nga vrasës serialë. Përbëhet nga kartele droge që disponojnë miliarda euro. Vetëm një prej tyre ka transferuar nga Dubai në bankat e Europës 3 miliardë euro. Kanë para të pafundme. Janë vendimmarrës kryesorë. Emërojnë ministra. Emërojnë drejtorë. Ditën e zgjedhjeve, një nga bashkëpunëtorët e mi, i thotë ambasadorit të BE-së: ambasador, i thotë, në filan vend janë banditët nuk po lënë për të votuar. Ambasadori i kthehet: po sillen policët si banditë, po lëre banditin. Po merru me policinë, se policët po sillen si banditë. Dhe tha një të vërtetë ambasadori. Policë e banditë nuk dalloheshin më, sepse bashkëpunojnë.”, tha Berisha.

Vazhdoi më pas të flasë për bandat e Troplinëve, Bajrave dhe Çela.

“Këto banda që janë, njëra prej tyre e Durrësit. Në Durrës janë dy-tre, por kryesorja ka portin. Në vitin 2020, Edi Rama u ka dhënë portin Troplinëve. Troplinët janë banda më e fuqishme. Kanë portin. Nga viti 2023 gjer sot nuk është kapur një kilogram kokainë nga porti i Durrësit. Porti i Durrësit është port i lirë për kokainë. Ndërkohë, Elbasanin e kontrollon një kartel tjetër, karteli Çela, i cili kontrollon heroinën. Heroina, përpara se të fillohej kokainë, heroina ka qenë rruga kryesore. Shqipëria ka qenë rrugë kryesore e heroinës që vjen nga Turqia, Afganistani, që vjen nga këto vende. Ky klan ka heroinën. Ky klan është miliarder.”, thotë Berisha.

Më tej, hodhi akuza ndaj shefit të komisariatit të Përrenjasit dhe Ergys Agasi, teksa këtë të fundit e cilësoi si personi në zyrën e kryeministrit që kontrollon bandat.

“Për shembull, në Prrenjas, e kemi me regjistrim, shefi i komisariatit të Prrenjasit thërriste një e nga një qytetarët dhe u thoshte se ju duhet të votoni për Sara Milen. Sara Mila, njeriu më i panjohur, nuk ia kishte dëgjuar kush emrin kurrë, por e martuar me një njeri të afërt me bandën. Do votoni Sara Milan. Dhe këta, e gjenin shefin duke bërë fushatë për llogari të Suel Çelës, të këtij kryebanditi. Në zyrën e kryeministrit ka një person, ky quhet Ergys Agasi. Ky, koordinon bandat.”, tha Berisha.

Nuk është hera e parë që Berisha vë në shënjestër ambasadorin e BE. Disa javë më parë, zyra e unionit në Tiranë u detyrua të reagojë publikisht duke përgenjeshtruar një deklaratë të Berishës, i cili përmes televizionit të tij, akuzonte ambasadorin se kishte ndërhyrë në raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e majit me qëllim mosreflektimin e problematikave të evidentuara në procesin e votimit. Në një tjetër lajm, pretenduan gjithashtu se ambasadori kishte hequr nga raporti parazgjedhor i OSBE-ODHIR emra banditësh dhe policësh të përfshirë në krim elektoral.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Beqiri: 05/06/2025 16:43

    Ti nuk behesh me or bur..perfundimisht ti ke rjedh fare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?