Politikë

‘Po të ishim ne në pushtet, Shqipëria do ishte tjetër!’ Berisha e 'emëron' Kim Jong-Un kryeministër: Dekret si Trump, kartelet e drogës do i shpall ‘organizata terroriste’! Rama s'del në debat

17 Prill, 13:15| Përditesimi: 17 Prill, 16:13

  • Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti sot një konferencë për mediat, ku akuzoi përsëri kryeministrin Edi Rama se duke zbatuar “Kodin e mafias, Omertan”, po ndalon çdo lloj debati televiziv apo mediatik të vetes dhe të kandidatëve për ballafaqime me programin elektoral, në zgjedhjet e 11 majit.

Ai e krahasoi me kohën e diktaturës, ku tha se edhe në atë kohë kishte ballafaqime në RTSH-në e dikurshme të kohës, mes përfaqësuesve të Partisë së Punës dhe masave të popullit.

Por Berisha nuk i shpëtoi as sot gafave të tij të zakonshme.

Duke bërë krahasime për diktaturën e qeverisë socialiste me atë të Koresë së Veriut, Berisha i dha Kim Jong-Un titullin e “kryeministrit”, duke e zbritur nga grada, kur posti që diktatori koreanoverior mban është ai i "liderit suprem" apo ekuivalent i Sekretarit të Parë të Partisë apo Presidentit.

“Kryeministri aktual ka kodin e mafias, është padrino. Ka ndaluar ballafaqimin e kandidatëve, refuzimin e çdo kontakti me gazetarët. Ai dhe Kim Jon Un janë të vetmit kryeministra (e ngatërron detyrën e presidentit koreanoverior) në botë, janë të vetmit që nuk pranojnë pyetje nga gazetarët. Vetë nuk pranon të ballafaqohet në studion televizive për programin. Traditë kjo kur partia e krimit ishte parti pune, por vendosën të respektojnë disa rregulla elementare të transparencës, ku ballafaqoheshin përfaqësuesit tanë me të PPSH në RTSH, sepse ai televizion ishte atëherë. Ai po bën Omerta, ku ndalohet çdo lloj komunimimi, po zbaton kodin e Omertas pikë për pikë dhe është i pashpresë”, iu përgjigj Berisha pyetjes së gazetarëve.

Kreu i selisë blu foli edhe për narkotrafikun, duke iu referuar dekretit të presidentit amerikan Donald Trump, që i shpalli kartelet meksikane të kokainës “organizata terroriste”. Ai nënvizoi se edhe qeveria e PD-së pas 11 majit do bëjë të njëjtën gjë me organizatat e drogës në Shqipëri.

“Ashtu sikurse edhe presidenti Donald Trump me një dekret të veçantë i shalli kartelet e drogës organizata terroriste. Edhe ne do shpallim organizata terroriste organizatat e drogës.  Do lobojmë fuqishëm edhe në Europë e botë që këto organizata të njihen si të tilla, të konsiderohen të tilla në mbarë botën”, tha Berisha.

Ai mohoi se sondazhet e nxjerrin PD shumë pikë pas PS-së.

Madje ai i ktheu 'kusur' deklaratës së kryesocialistit Edi Rama, e bërë një ditë më parë, se "po të ishte PS në pushtet nga 1992, Shqipëria do ishte në BE". Ai tha ndër të tjera se "po të ishte PD e të mos kishin humbur zgjedhjet më 2013, Shqipëria do ishte tjetër".

“Në sondazhet tona tregohet se fitimtarë absolutë është Partia Demokratike. Ai mashtron. Partia në pushtet do rikthehet në vitin 1992. Nëse nuk do kishim humbur zgjedhjet dhe nëse PS nuk do ishte në pushtet, që nga 2013, Shqipëria do ishte tjetër. Por kemi një fjalë ne, “e keqja më e madhe”. Por kemi bindje absolute se do kete ndryshim thelbësor”, u shpreh berisha, duke harruar se gjatë qeverisjes së PD më 2005-2013, u ‘prodhuan’ Gërdeci dhe 21 Janari.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?