Po të mos ishte Migjeni?

26 Gusht 2018, 18:00| Përditesimi: 26 Gusht 2018, 18:24

  • Share

Si sot 80 vjet të shkuara vdiq Millosh Gjergj Nikolla.

Po e kujtoj duke risjelle një shkrim të botuar më 31.08.2011.

Po të mos ishte Migjeni

Më të shumtit prej nesh sot, kur ulemi të shkruajmë për varfëri e për mjerim, na pëlqen t’i zbukurojmë shkrimet tona me nga një thënie a frazë të Migjenit. Ndonjëherë, kur ja kemi ngenë të thellohemi, na bën përshtypje dhe e vëmë edhe në dukje se sa të vërteta mbeten edhe sot e gjithë ditën shkrimet e përshkrimet e Migjenit. Në fakt, kjo nuk është ndonjë meritë e Migjenit, por e jona, e shqiptarëve në përgjithësi, që vazhdojnë të notojnë në të njëjtin llum e ndyrësi, të cilën e përshkruante dikur Migjeni. Kështu që nuk ishte Migjeni profeti – shkrimet e të cilit mbeten të vlefshëm edhe sot – përkundër, jemi ne të paaftë të ndryshojmë, duke e lënë këtë vend të vuajë të njëjtat sëmundje dhe duke i bërë kështu të kurdovlefshme vargjet e Migjenit. Nëse ne do ishim francezë a hollandezë, do ja kishim dalë ta ndryshonim fatin e vëndit dhe kështu vargjet e Migjenit do mbeteshin në muze të historisë.

Shkodranët nuk e duan Migjenin. Nuk them për njerëzinë e thjeshtë – ata që heqin e vuajnë për të bukën e gojës dhe për të mbyllur ditën e punës, se këta s’ia kanë ngenë të merren me filozofira e me shkrime – as të sotmit e ca më pak me ata të para një shekulli. Më e holla punë intelektuale që bëjnë këta, është t’u përgjigjen thirrjeve të partive për mitingje dhe të thërresin sa më fort, me shpresë që t’i shohë kryemitingashi. Ndaj, s’e kam fjalën për ata për të cilët shkruante Migjeni, se këta të mjerë, sikur ta dinë se sa u ka kënduar e u ka qarë hallin poeti, do ta shpallnin kryetar partie, meqë tjetër kategori nderimi nuk dijnë.

Migjenin nuk e duan as ata që kanë shkollë, e që i mbajnë për të dijshëm e për elitë të qytetit. As e kanë dashur në të gjallë, e ca më pak e duan sot. Në të gjallë nuk e donin sepse e shihnin si rrezik për veten e tyre, ndërsa sot nuk e duan se janë edhe më injorantë të padijshëm sesa njerëzia e thjeshtë. Njerëzit e thjeshtë, lënda e parë e shkrimeve të Migjenit, nuk i quaj dot injorantë, por thjesht të pakultivuar që jeta dhe hallet nuk u ofruan luksin e diturisë, ndërsa elita është vërtet injorante se, megjithë që u shkollua e u përkëdhel nga fati, mbeti po aq injorante dhe pazot të lartohet moralisht.

Kështu pra siç thashë, shkodranët nuk e donin Migjenin. Të parët e mbi të gjithë, nuk e donin priftat. Kleri shqiptar, e veçan ai katolik, i kish bërë shërbime të paçmuara shqiptarizmës, ruajtjes së gjuhës shqipe e dëshmimit të traditës malësore. Të gjitha këto, i shërbyen fort ëndrrës rilindase të formimit të kombit por, në vitet ‘30 kjo ëndërr ishte realizuar. Shqipëria ishte krijuar, tani duheshin krijuar shqiptarët, siç thoshin përfaqësonjësit e neoshqiptarizmës. Këtu kleri ngeci dhe nuk bëri dot përpara. Konservator për vetë natyrën e vet, kleri vazhdoi të himnizonte shqiptarin trim e kreshnik, të pamposhtur e krenar, që vigjëlonte i ngrysur në malet e paafrueshme; të mbrujtur me kanune e me zakone burrash.

Mirëpo Migjeni e shqeu gjithë këtë fasadë false, të dalë mode dhe të panevojshme në shekullin e ri, duke ju përplasur dhe vënë përpara syve një realitet të turpshëm. Realitetin e malësorit që lyp misër, që shtrin dorën për bukë, të malësores që është gati të shesë trupin, të murgeshës që ofshan, të qytetit që i bishtnon modernizimit, të fëmijës që vuan për bukë ndërsa don të vazhdojë shkollën, të tregëtarit që bën adetet e fesë por mbetet i pashpirt, e gjithë ç’ka tjetër që ende na zukat në kujtesë nga vargjet e tij.

Migjeni me këtë grisje të maskave të kohës së vet, na shpëtoi fytyrën morale përgjithmonë. Nëse ai nuk do kishte shkruar, neve sot do të kishim vetëm poetët që u këndonin Zanave të Malit, ndërsa ndërsa varrezat mbusheshin me fëmijë të vdekur urie. Dhe kur të uleshim të analizonim këtë kundërshti, do të akuzonim paraardhësit se qenë të pashpirt e të pamoral që u këndonin zanave e maleve, ndërsa fëmija s’kishin tullumba e vajzat shisnin nderin.
Migjeni është gati i vetëm midis morisë së shkrimtarëve që denoncuan mjerimin. Ishin edhe një grusht djemsh të dijshëm, përfaqësues të neoshqiptarizmës, por ata qenë më shumë filozofë se sa poetë dhe morali ka nevojë edhe për poezi, pa le pastaj po të jetë “me nji grusht t’fuqishëm”. Sikur të mos qe Migjeni, ne nuk do kishim përfaqësues të brezit të madh të denoncuesve të realitetit; do të qe sikur Franca të mos kishte patur Balzakun apo Anglia të mos kishte Dikensin. Ne e patëm por s’e duam.

Kaq për shkodranët e atëhershëm.

Por edhe shkodranët e sotëm nuk e duan Migjenin. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që gati druhen t’i zënë emrin me gojë; që më tepër se një here kanë dashur t’i heqin emrin nga Teatri; që i kanë thyer bustin, e i kanë harruar varrin midis plehrave të qytetit; që i kanë zhdukur çdo shenjë të ekzistencës së tij në qytetin e Madh të Veriut, shtëpi, dhomë, muze, e gjithshka tjetër.

Sërisht janë edhe priftat, që nuk e duan e s’mund t’ia falin atë ç’ka i bëri ai klerit të kohës kur qe gjallë. Në fakt, Migjeni duhej të konsiderohej si aleat i klerit në përpjekjen e kahershme për drejtësi sociale e barazi shoqërore, por kjo nuk ndodhi as në gjallje të tij e aq më pak sot. Kisha katolike në momente të vështira të shekullit XX, përgjithësisht ja ka dalë të rreshtohet në anën e të dobtëve, duke ju rikthyer vokacionit të shekujve të parë të ekzistencës së vet; por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur gati askurrë në Shqipëri. Kleri shqiptar ka nxjerë plot martirë të fesë si Gjon Gazulli, por ndoshta askurrë martirë të njerëzve, si Romero i Salvadorit.

Zoti më ndjeftë se ndoshta e rëndova dorën pak si shumë mbi kurriz të priftave, kur më shumë se ata, përgjegjësi për këtë harresë ka vargani grotesk që i thonë vetes “zotnit e sotëm të Shkodrës”. Këta, të dal nga hiçi e të bërë zotnij veç prej lekut a prej karriges, as mund të pritet të duan dikë që ju zbulon rrënjët.

Për fat, “sikur”-i i vënë në krye të këtij shkrimi, nuk mund të ngjasë, pasi ne e patëm Migjenin. E duam a s’e duam, ai është aty për të treguar me gisht pisllëkun e kohëve.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?