'Pse nuk ke maskë? Ik merre'! Rama largoi gazetaren që të vendosë maskën anti-COVID, Meta e sheh si dhunë fizike: Është e papranueshme

13 Mars 2021, 12:39| Përditesimi: 13 Mars 2021, 18:16

  • Share

Gjatë një prononcimi për mediat, pas një vizite tek shkolla “4 Dëshmorët”, ku nisi sot vaksinimi i mësuesve, kreu i qeverise Edi Rama ka vënë re një gazetare e cila nuk kishte maskë, megjithëse është detyrim ligjor.

Një gazetare e cila ndodhej pranë kreu të qeverisë, gjatë deklaratës për mediat, u shfaq pa maskë duke thyer kështu rregullat Anti-COVID, që janë në fuqi. Ky detaj nuk i ka shpëtuar kryeministrit Rama, i cili i është kthyer gazetares dhe e ka pyetur për maskën, duke i thënë: “Pse nuk ke maskë? Ik merre”.

Ndërkohë, siç shihet dhe në video, pas kësaj fjale të kryeministrit, gazetarja është larguar. Ndërkohë lidhur me veprimin e kryeministrit ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta, i cili e quan si dhunë fizike veprimin e kryeministrit Rama ndaj gazetares.

Ora 17:59
Rama i kërkoi gazetares të vendoste maskën, reagon Meta: Denoj me ashpërsi dhunën fizike, është e papranueshme

1615646568_ramaedona.jpg

Presidenti Ilir Meta ka reaguar, pasi kryeministri Edi Rama i kërkoi gazetares Edona Haklaj që të vendoste maskën, ndërkohë që po zhvillonte një prononcim për mediat Meta thekson se dënon me ashpërsi, sipas tij këtë dhune të papranueshme fizike të ushtruar nga kryeministri Edi Rama. Meta shton më tej se ky është një sulm i dënueshëm.

‘Dënoj me ashpërsi dhunën e papranueshme fizike të ushtruar sot nga Kryeministri ende në detyrë ndaj gazetares së nderuar të televizionit "Fax News", znj.Edona Haklaj. Përdorja e forcës mbi një reportere në krye të detyrës, mbi të gjitha një vajze të re, me pretekstin e mosmbajtjes së maskës antiCOVID, është e papranueshme për traditën shqiptare, moralin njerëzor, për çdo shoqëri demokratike dhe etikën institucionale, për më tepër kur akti i dhunës ushtrohet publikisht nga kryetari i Këshillit të Ministrave.

Ky sulm i dënueshëm, që vjen pak ditë pas linçimit publik të znj.Grida Duma, është vijim i revanshit të rrugaçërisë, dhunës, presionit, shantazhit e bullizmit konstant, që prej vitesh ushtrohet ndaj gazetarëve dhe mediave të pavarura në vend, por dhe ndaj femrave e grave shqiptare, që në të kaluarën e kanë denoncuar dhunën ndaj tyre të këtij individi.

Duke theksuar se liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike dhe çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, u bëj thirrje shoqatave të gazetarëve brenda e jashtë vendit, si dhe atyre për mbrojtjen e të drejtave të grave, të reagojnë fuqimisht edhe ndaj këtij rasti të përsëritur. Shpreh solidaritetin tim të plotë me gazetaren Edona Haklaj, televizionin "Fax News" dhe të gjithë kolegët e saj të pavarur e kurajozë, të cilët i inkurajoj për të vijuar pa u trembur, misionin fisnik të informimit publik. Zero tolerancë për dhunën, kanosjet dhe kërcënimet ndaj medias duke përdorur si pretekst pandeminë!’- shkruan Meta.

Ora 15:41
Rama i kërkoi gazetares që të vendosë maskën, reagon Vokshi: Ky është fundi për një politikan

Ish-deputetja e Partisë Demokratike ka reaguar ashpër pasi, kreu i qeverisë Edi Rama i kërkoi një gazetarje që të vendoste maskën, ngjashëm me të gjithë kolegët e saj.

Vokshi e cilëson sjelljen e kryeministrit Rama si e një të forti, dhe se kjo gjë tregon fundin e tij si njeri. Sipas Vokshit asnjë rrethanë nuk mund ta justifikojë aktin e dhunshëm të Edi Ramës kundër gazetares së re.

‘Të prekësh me dorë një gazetar është fundi për një politikan. Sjellja e sotme e Edi Ramës si e një të forti rruge me gazetaren Edona Haklaj, tregon fundin e tij edhe si njeri. Asnjë rrethanë nuk mund ta justifikojë aktin e dhunshëm të Edi Ramës kundër gazetares së re.  Prej 23 vitesh në politikë, Edi Rama ka dhënë prova të shpeshta se ai nxit dhunën verbale dhe fizike ndaj grave dhe kundërshtarëve politikë  Ky kryeministër brutal, si në jetën personale, edhe atë politike i ka përdorur gratë vetëm për fasadë. Pas fasadës, është një politikan i rrezikshëm për gazetarët, për median, për gratë dhe për shoqërinë. Ky model do të marrë fund më 25 Prill me votën e çdo shqiptari që do një kryeministër normal dhe të qytetëruar.’- shkruan Vokshi.

 

M.Q.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?