Itali-Një burrë me origjinë shqiptare, 52 vjeç dhe partnerja e tij italiane, 37-vjeç, banues në Abruzzo janë vendosur në pranga pasi në makinën që po lëviznin iu gjetëm afro 15 kilogramë kokainë.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur pak pas mesnatës të së shtunës (14 shtator) në autostradën Bozen-Sud, Itali.
Oficerët e policisë e ndaluan automjetin si shkak i manovrave të rrezikshme që ata po bënin në rrugë.
Droga e cila ishte e ndarë në 15 pako të mbledhura me qese dhe më pas e vendosur në një valixhe u zbulua nga qentë e policisë.
Ndërkohë nga kontrollet e kryera rezultoi se shoferi ishte shqiptar me precedentë të mëparshëm penalë, kurse makina që ai drejtonte ishte e regjistruar në emër të një shqiptari tjetër, i njohur në botën e drogës.
Lënda narkotike u sekuestrua. Në qoftë se ajo do të dilte në treg do të sillte fitime më shumë se 5 milionë euro.
Vijojnë hetimet për të zbuluar se nga vinte kokaina dhe për kë ishte destinuar.