Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona pasi po transportonin pesë emigrantë të paligjshëm. Mësohet se në kuadër të operacionit të koduar ‘Taksia’, kanë rënë në pranga V. B., 46 vjeç dhe B. T., 21 vjeç.
Burime bëjnë me dije se personat e arrestuar i kishin premtuar emigrantëve se do i kalonin përmes shpërblimit monetar drejt Kosovës, e më pas me destinacion final vendet e BE-së.
Pesë emigrantët janë proceduar penalisht, ndërsa raportohet se ata janë futur në Shqipëri nëpërmjet kufirit me shtetin grek.
Njoftimi i Policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar "TAKSIA", për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit. Operacioni nga strukturat e DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Vihen në pranga 2 shtetas që u kapën në flagrancë duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm. Procedohen penalisht edhe 5 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim Komisariatin e Policisë Nr. 3 dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin transportin e emigrantëve të paligjshëm, nga Saranda drejt Tiranës, e më pas në drejtim të Kukësit, me qëllim kalimin në Kosovë, me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “TAKSIA”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve V. B., 46 vjeç dhe B. T., 21 vjeç.
Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me një mjet taksi, kundrejt shpërblimit monetar, 5 emigrantë që kanë hyrë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme nëpërmjet kufirit me shtetin grek, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 5 shtetasit e huaj, për veprën penale "Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror". Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe "Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.