Kakavijë- Tentoi të dilte nga Shqipëria, me rreth 20 mijë euro cash dhe të padeklaruara, procedohet penalisht 38-vjeçari i dyshuar.
Policia Kufitare e Gjirokastrës ka njoftuar sot se ka zbuluar dhe goditur në Kakavijë një rast të kontrabandës së valutës, kurse personi i hetuar kishte destinacion Greqinë.
Burime zyrtare sqaruan se “u krye kontroll në çantën e shtetasit I. M., ku u gjetën 19150 euro, të cilat nuk i kishte deklaruar konform ligjit”.
I riu rezultoi nga verifikimet e dokumentacionit dhe marrja në pyetje paraprake se ishte nga Patosi dhe banonte në Greqi, ku edhe punonte.
“Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, njoftoi policia vendore.
Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe shuma e eurove, teksa po hetohet shkaku i mosdeklarimit të parave nga 38-vjeçari dhe dosja iu referua prokurorisë vendore.