Vendi i dytë, 22 pikë dhe vetëm një humbje në nëntë javët e La Ligë-s spanjolle të futbollit. Bëhet fjalë për Gironan, skuadrën e vogël të Katalonjës që këtë sezon ka marrë shumë epitete në Spanjë. Nga "Hirushja" e deri te surpriza e sezonit, klubi në periferi të Barcelonës ka bërë edhe gjigantët e drejtuar nga Xavi të "flasin me vete", duke qenë një pikë pas tyre për vendin e tretë në kampionat.
Me vlerë 125.3 milionë euro në totalin e lojtarëve (sipas transfermarkt), e gjithë skuadra e Gironas vlen më pak se një nga yjet e Real Madridit, Barcelonës apo edhe Atletico Madridit. Lojtari më i shtrenjtë i drejtuar nga trajneri Michel është ukrainasi Viktor Tsygankov, me sulmuesin e krahut që nuk ka luajtur për shkak të dëmtimit dhe vlen 22 milionë euro.
Shumica spanjollë dhe me moshë mesatare 26.5 vjeç, lojtari më i njohur i Gironas është Cristhian Stuani. Italo-uruguaiani mban shiritin e kapitenit, teksa edhe pse në moshën 36-vjeçare ka luajtur të nëntë ndeshjet e këtij sezoni, duke shënuar dy gola dhe asistuar një herë.
Skuadra e Girona-s
Për t'u përmendur edhe lojtarët e mbrojtjes, me Eric Garcia që po bën mirë dhe luan këtë sezon me Gironan i huazuar nga Barcelona. Pjesë e mbrojtjes është edhe Daley Blind, ish-mbrojtësi i kombëtares së Holandës që në moshën 33-vjeçare, i mbetur ndoshta pa një ekip të mirë, vendosi të bashkohej me modestët e Gironas, që këtë fillim-sezoni kanë marrë vëmendjen e fansave të futbollit në Evropë dhe jo vetëm.
Forma e mirë sportive e Gironas nuk duket një rastësi. Me buxhet modest, krahasuar me gjigantët e futbollit në Spanjë, shenjat për një ecuri pozitive u dhanë sezonin e shkuar, me ekipin që e mbylli sezonin në vendin e 10-të.
Girona kundër Real-it
Ngritja e Tozudos - Tifozët e Gironas, si dhe klubi në komunikimet zyrtare, i referohen vetes si Tozudos, që e përkthyer do të thotë "kokëfortët". Ky pseudonim lidhet me shumë rastet që skuadra katalanase u përpoq pa sukses për të fituar promovimin në ligën e parë përmes play-off dhe vendosmërinë e tyre për të vazhduar përpjekjet. Në sezonin 1935-36, ata patën shansin e tyre të parë për të shkuar në një play-off, por nuk mund ta shfrytëzonin këtë mundësi. Në dekadën e fundit, ata kanë marrë pjesë në pesë play-off të tjera, duke arritur vetëm një herë në këtë mënyrë të jenë pjesë e elitës, në 2021-2022.
Një klub që u themelua për të mbushur një boshllëk - Futbolli është luajtur në qytetin e Girona që nga fillimi i shekullit të 20-të, por një nga klubet e hershme të qytetit, Union Esportiva Girona, u shpërbë për shkak të borxheve të larta. Në vitin 1930, për të mbushur boshllëkun, disa entuziastë të futbollit dhe biznesmenë nga qyteti bashkuan forcat për të krijuar klubin e tanishëm Girona, i cila shpejt u bë pikë referimi lokal për tifozët e futbollit falë një promovimi në vitet e para të ekzistencës.
Stadiumi i Girona-s
Ngjyrat bardhekuqe janë falë bashkisë së qytetit - Lindja e Girona FC u pasua nga një vendim i këshillit të qytetit që vendosi klubin në një fokus të veçantë. Kjo për shkak se këshilli i qytetit autorizoi klubin të përdorte stemën e qytetit në fanellat e tyre. Stema e qytetit përmban një ngjyrë të argjendtë dhe të kuqe të ndezur, gjë që bëri që veshja e klubit të përsëriste këto ngjyra që në krijim. Gjatë gjithë viteve të historisë së saj, Girona FC është përcaktuar nga këto ngjyra karakteristike.
Stuani ka qenë prej kohësh "makineria e golit" të Girona FC - Nëse ka një emër që bie në sy në historinë e Girona-s, ai është ai i Cristhian Stuani. Uruguaiani mbërriti në klub në sezonin 2017-18, i pari klub për të në ligën e më të mirëve të futbollit spanjoll, pas periudhave të kaluara te Albacete Balompié, Levante UD, Racing Santander dhe RCD Espanyol.
Cristhian Stuani
Që atëherë, ai ka shënuar duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave, me 116 gola në 212 ndeshje. Në dy raste ai ka qenë golashënuesi më i mirë i divizionit të dytë të Spanjës, pasi vendosi të qëndrojë pavarësisht rënies së ekipit në vitin 2019, duke u dëshmuar përfundimisht kyç pasi Girona fitoi promovimin në elitën spanjolle në sezonin 2021-22.
Shtëpia e një prej turneve verore më të gjata - Klubi i Girona-s pret trofeun Costa Brava, i cili është mbajtur në stadiumin "Montilivi" pothuajse çdo verë që nga viti 1970, me vetëm disa përjashtime. Trofeu është fituar nga klube si San Lorenzo de Almagro, Stuttgart, Olympique Marseille dhe AZ Alkmaar. Në sezonet e fundit, Girona madje ka arritur të mposhtë klube si Tottenham dhe Manchester City në stadiumin e tyre, duke arritur fitore të paharrueshme kundër këtyre kundërshtarëve të fortë në një nga turnetë më prestigjioze parasezonale në futbollin spanjoll.
Qyteti i Girona-s
Pronësia - Girona u ble nga biznesmenë me origjinë nga Abu Dhabi në vitin 2017, kur këta blenë 44.3% të aksioneve në klubin katalanas. Pere Guardiola, vëllai i trajnerit të Man. City, Pep Guardiola, është drejtor menaxhues i Girona Football Group, i cili ka një pjesë të barabartë me 44.3% në klub.
Pas periudhave me Rayo Vallecano dhe Huesca, trajneri 47-vjeçar Michel ndihmoi Gironan të kthehej në elitë gjatë sezonit 2021-22. Ai më pas e udhëhoqi atë në vendin e 10-të sezonin e kaluar, kur mori disa fitore mbreslënëse, si ajo 4-2 ndaj Real Madridit në shtëpi falë katër golave të ish-sulmuesit Taty Castellanos.
E kur duket se historia e gjatë e krijimit të klubit, vështirësive apo edhe pengesave është e denjë për një roman; në fushë lojtarët e Gironas kanë bërë që ecuria e tyre të jetë si një poezi e thurur jo nga miliardat e eurove që kanë vërshuar futbollin evropian së fundmi.