POGRADEC - Agjencia e Mbikqyrjes Policore në rajonin Elbasan-Korçë ka pezulluar nga detyra 3 punonjës policie, të cilët dyshohen për falsifikim dokumentesh dhe përdorim të detyrës. Pezullimi nga ana e AMP-së vjen prej vendimit të Gjykatës së Korçës, në bazë të këresës së Prokurorisë e cila lëshoi akuzat ndaj 3 punonjësve të policisë së stacionit kufitar të Pogradecit.
Vendimi i gjykatës erdhi pas dyshimeve të arsyeshme se këta punonjës policie, edhe pse kishin konstatuar dy shtetas (E.P. dhe L.E.) që po kryenin peshkim të ndaluar në liqenin e Ohrit më 28 dhjetor 2024, nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore dhe kanë favorizuar aktivitetin e paligjshëm të këtyre individëve, me dyshimin se mund të kenë pasur përfitime personale nga kjo veprimtari.
'Vendimi i gjykatës, erdhi mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Korçë, pas dyshimeve të arsyeshme se këta punonjës policie, edhe pse kanë konstatuar më datë 28.12.2024 shtetasit E.P. dhe L.E. duke kryer peshkim të ndaluar në liqenin e Ohrit, me veprime dhe mosveprime, kanë favorizuar aktivitetin e kundraligjshëm të këtyre shtetasve, me dyshime përfitimi.', njofton Agjencia e Mbikqyrjes Policore.