Stina e pranverës ka rritur dukshëm rastet e alergjive kjo për shkak të prezencës së poleneve. Mjekja alergologe Anila Hysenbegasi thotë se çdo ditë në spitalin e Pogradecit paraqiten 20 deri në 30 raste.
Simptomat më të zakonshme të një alergjie stinore përfshijnë rrjedhjen e hundëve, kruajtjen e syve dhe teshtitjen.
Mjekja shprehet se më të prekur janë moshat e reja, ndërsa simptomat e alergjisë shpesh herë ngatërrohen me ato të gripit.
Mosekzaminimi në kohë i alergjive sjell përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve deri në formimin e asmës. Ndërsa ekzaminimi në fazat e para të sëmundjes së alergjisë bën që kjo e fundit të kurohet plotësisht.
“Me teste diagonstikuese siç janë testet e alergjisë përcaktohet diagnoza e saktë. Por qytetarët e ngatërrojnë me gripin dhe nuk e trajtojnë alergjinë. Reniti alergjik duhet trajtuar sepse ndryshe kalon në asmë kronike”,- tha mjekja Hysenbegasi.
Ndotja e ajrit, polenet e luleve, bimë barishtore janë faktorët që ndikojnë në prekjen nga alergjitë e stinës.
Mjekja alergologe thotë se këto sëmundje kanë një rikthim në motin e ngrohtë dhe se 80% e pacientëve që paraqiten në spital kanë probleme me rrugët e frymëmarrjes.