Kronikë

Pogradec/ Dyshohet se ngacmonte seksualisht 2 nxënëset e tij, gjykata cakton '40 ditë burg' për drejtorin e shkollës 9-vjeçare Adriatik Haxhillarin! Mohon akuzat

9 Nëntor 2021, 13:10| Përditesimi: 9 Nëntor 2021, 14:12

  • Share

Gjykata e Pogradecit ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg me afat 40 ditë për drejtorin e shkollës 9-vjeçare në në fshatin Stropckë në Pogradec, Adriatik Haxhillari, i akuzuar se ka ngacmuar seksualisht dy nxënëset e tij të mitura. Prokuroria ka sekuestruar telefonat e vajzave dhe të Haxhillarit dhe janë dërguar për ekzaminim, nëse kanë shkembyer ose jo mesazhe. Ndërkohë i vetmi mesazh që prokuroria ka në dorë është një ikone kafeje që drejtori i ka nisur njerës prej nxënësve, por që më pas e ka fshirë. 

Nga ana tjetër, sipas avokatit të Haxhillari, ai nuk i pranon akuzat dhe e shfaq veten të pafajshëm.

Seanca u mbajt me dyer të mbyllura për shkak të çështjes në gjykim, ndërsa në seancë nuk u lejua as prania e familjarëve të të akuzuarit. Jashtë kamerave, familjarët e Haxhillarit mohojnë akuzat e ngritura ndaj tij, duke thënë se i është ngritur kurth për shkak të postit.

59 vjeçari Adriatik Haxhillari akuzohet për veprën penale të "ngacmimit seksual" ndaj dy nxënëseve të tij 14-vjeçareve.

Ngjarja e rëndë u denoncua disa ditë më parë, ndërsa sipas deklaratës së 2 të miturave, ai i vijonte ngacmimet seksuale prej më shumë se 1 muaji.

Në prani të psikologëve dy vajzat e mitura të cilat kanë pranuar se drejtori u ka bërë shenja gjatë mësimit. Po ashtu, ai u ka dërguar mesazhe ngacmuese në orët e natës.

Vajzat e mitura nuk kanë treguar në familje në lidhje me ngacmimet dhe as kanë denoncuar, ndërsa bëhet me dije se mesazhet e para janë parë nga vëllai i njërës prej vajzave e cila i kishte prindërit në Greqi dhe shqetësohej me thirrje në telefon në orën 11 të natës.  Më pas i vëllai i ka shkuar te takojë drejtorin dhe e ka goditur, ndërsa të nesërmen drejtori e ka thirrur për t'i kërkuar ndjesë.

Po ashtu mësohet se Haxhillari shkonte në shkollë i dehur, pasi konsumonte alkool çdo ditë në lokalin e fshatit para fillimit të mësimit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?