Korriku ka shtuar pacientët që kërkojnë të marrin një mjekim më të specializuar në urgjencë apo pediatrinë e spitalit të Pogradecit. Shkak për këtë fluks janë bërë virozat si pasojë e motit të paqëndrueshëm. Simptomat më të shpeshta janë kolla, temperatura dhe infeksionet respiratore.
“Situata epidemiologjike është relativisht e qetë. Paraqiten 50-60 fëmijë në ditë me infeksione të rrugëve të sipërme respiratore. Ka filluar një shtesë me diarre. Kemi shtim dhe të fëmijëve të pickuar nga insektet, alergji nga pemët. Ka një rritje me 30%. Gushti pritet të jetë i ngarkuar se ka dhe shtim të vizitorëve”, tha Behxhet Lickollari, shef i pediatrisë Pogradec.
E njëjta situatë paraqitet edhe tek urgjenca e Pogradecit me 60 deri në 70 raste në ditë. Ky numër rritet më tepër gjatë fundjavës kur në qytet ka edhe turistë.
“Aktualisht në spitalin tonë ka një fluks të lehtë. Pritet një rritje tjetër me probleme diarre e të vjella. Temperaturat ndikojnë. Persona vunerabël janë moshat e treta”, tha Genci Zyferi, shef i urgjencës Pogradec.
Mjekët këshillojnë sa më pak ekspozimin në diell, konsumimin e ushqimeve të freskëta dhe lëngjeve.