Stina e reshjeve e bën të pakalueshme rrugën e Lumasit në njësinë administrative të Çërravës në Pogradec.
Këtu jetojnë 150 banorë që merren kryesisht me kultivimin e mollëve e patateve, por grumbulluesit nuk shkojnë në Lumas për shkak të rrugës së amortizuar.
Banorët kërkojnë asfaltimit e këtij segmenti 4 kilometra nga qendra e fshatit deri në rrugën nacionale Korçë- Pogradec.
“Rrugën e kemi shumë problem. Të gjithë mbjellim por prodhimet shkojnë dëm sepse tregtarët për shkak të rrugës nuk vijnë”.- tha një banor.
“Kam ca mollë për të shitur, por duhet ti nxjerr deri në Cërravë se nuk vjen tregtari ti marrë”.- u shpreh një fermer.
‘Në dimër nuk dalim fare, se këto gropat me ujë ngrijnë’.- tha një tjetër.
“Unë kam 10 ton patate, por skam ku i çoj”, - thanë fermerët.
Gjatë dimrit vështirësohet dhe transporti i fëmijëve drejt Çërravës, pasi shkolla e Lumasit është mbyllur disa vite me parë për shkak të rënies së numrit të nxënësve.