Pogradec- Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Memëlisht të Pogradecit katër ditë më parë (22 maj), kur një 49-vjeçar ka dhunuar barbarisht bashkëshorten e tij dhe më pas është arratisur.
Krimi ka ndodhur gjatë kohës që i dyshuari Pavlo Fetahu ndodhej nën masën e sigurisë nga Gjykata, “arrest shtëpie”, po për veprën penale të “dhunës në familje”.
Por kjo masë duket se e ka ‘motivuar’ edhe më shumë atë, duke e çuar dhunën në nivel tjetër. Policia tha se gruaja ndodhet në spital ku po merr mjekim për shkak të plagëve, kurse 49-vjeçari pas tre ditësh kërkime është lokalizuar dhe arrestuar ditën e sotme (26 maj).
“Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec kanë lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasin: P. F., 49 vjeç, banues në fshatin Mëmëlisht”, njoftoi sot policia vendore.
Gazetari i Report Tv, Armand Braho, informon se akti kriminal është kryer me sende të forta, duke i shkaktuar gruas edhe dëmtime serioze.
“Bashkëshortja e 49-vjeçarit ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Kurse materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, sqaroi Komisariati.
Ndaj të dyshuarit u ngrit edhe një akuzë shtesë, ajo e "largimit të të burgosurit nga vendi i qëndrimit".
Komente
